Lajmet e fundit

Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit

E Premte, 28.06.2019




Heqja e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave, ishte tema për të cilën diskutuan sot në seancë të jashtëzakonshme deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë, e cila u kryesua nga zv/ kryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, filloi me diskutimin e deputetit Lutfi Zharku, i cili në emër të iniciuesit të debatit, si dhe në emër të LDK-së, paraqiti qëndrimin lidhur me këtë çështje.
Ai fillimisht vlerësoi se kontrata e nënshkruar në afat prej 10 vjetësh nga ministri i Qeverisë së kaluar, përkatësisht, ish ministri Fatmir Limaj dhe së fundmi nga ministri aktual i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, nuk është bërë mbi bazën e një analize të thelë.
Marrëveshja, vijoi ai, përcakton afatin e vlefshmërisë dhe është vënë në periudhë dhjetë vjeçare. Vendimi i ministrave lidhur me çmimin e homologimit, i cili që nga fillimi, e që vijon edhe më tej të jetë prej 100 euro për automjete, për kamioneta mbi 3. 5. tonë me rimorkio 150 euro dhe për kamionë 200, është shumë i lartë, tha ai.
Lidhur me këtë, ai vlerësoi se nuk është paraqitur asnjë analizë dhe shpjegim se si janë vendosë këto çmime.
Deputeti Zharku bëri të ditur se për homologimin dhe mbikëqyrjen e automjeteve, qytetarët brenda vitit paguajnë deri në katër milionë euro.
Ai vuri në dukje se konstatimi i ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës Pal Lekaj, se, monopoli lidhur me homologimin është si pasojë e Ligjin për Automjete, është i pa saktë.
Në fund të fjalës së tij, deputeti Zharku propozoi që: të shfuqizohet udhëzimi administrativ për procedurën për homologim i Ministrisë së Infrastrukturës, të hyjë në fuqi një udhëzim i ri administrativ, si dhe të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve.
Në emër të PDK-së foli shefi i këtij grupi parlamentar, Memli Krasniqi.
Në fillim të paraqitjes, me këte rast ai shfaqi pakënaqësin e grupit të tij parlamenatr, për shkak se, atyre nuk u është dhënë mundësia, që edhe ata të jenë iniciues të debatit.
Lidhur me çështjen, ai nënvizoi se PDK-ja është kundër monopolit, dhe sikurse që dihet, tha ai më tej, ne jemi në favor të ekonomisë së tregut të lirë dhe konkurrencës.
Në vijim, ai përkujtoi se homologimi është çështje e kahershme dhe si e tillë nuk është trajtuar as një herë sikurse do duhej, në mënyrë që të eliminohet monopolizimi. Tashmë që po merremi me këtë çështje, tha deputeti Memli Krasniqi, është për shkak se kohëve të fundit është parë edhe interesim i theksuar nga partnerët tanë ndërkombëtar. Për të rregulluar këtë fushë, ai vlerësoi se Kuvendi duhet të ndërmarr iniciativë për plotësim-ndryshim të Ligjit për automjete, dhe njëkohësisht të ndihmohet Qeveria për të eliminuar këtë monopol, i cili vlerësoi ai, është shëndërruar në barrë për qytetarët.
Sipas VV-së, qëndrimin e së cilës e paraqiti shefi i këtij Grupi Parlamentar, Glauk Konjufca, shkak i kësaj gjendjeje që ka të bëjë me homologimin e automjeteve, janë dy urdhëresat administrative. Ai i vitit 2008, si dhe ky i fundit, i nënshkruar nga ministri aktual i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, nënshkruar në vitin 2018.
Ai vlerësoi se mosrespektimi i rekomandimeve, të cilat Fakulteti i Ingjinierisë Mekanike, ka adresuar në Ministrinë e Infrastrukturës, është një gabim akoma më i madh i ministrisë, përkatësisht ministrit Lekaj.
Këto urdhëresa administrative, deputeti Konjufca i cilësoi si antikushtetuese, dhe për më shumë, tha ai, ato paraqesin krim ekonomik.
Sipas AAK-së, ndërkaq, e vetmja mundësi për të rregulluar këtë çështje në mënyrë adekuate, është plotësim- ndryshimi i Ligjit për automjete. Po ashtu, nga përfaqësuesi i këtij subjekti parlamentar, përkatësisht, shefi i grupit, Ahmet Isufi, u vu në spikamë edhe fakti se me këtë çështje, deri më tani nuk është marrë askush nga pararendësit e Ministrisë së Infrastrukturës.
Pas kësaj fjalën e mori përfaqësuesja e PSD-së, Shqipe Pantina.
Ajo pasi shfaqi qëndrimin e subjektit të saj, se ata janë kundër çdo monopoli të çfarëdo çështje që ka të bëjë me ekonominë, po ashtu, ngriti një varg çështjesh që kanë të bëjnë me homologimin e automjeteve. Ajo vlerësoi se homologimi i automjeteve nuk ka ndikuar në parandalimin e aksidenteve në komunikacion, e as në shtimin e buxhetit të shtetit. Andaj, sipas saj, duhet shikuar dhe analizuar me kujdes, se a është i domosdoshëm, dhe në cilat raste duhet kryer homologimi i automjeteve.
Në emër të NISMA-s, fjalën e mori shefi i këtij grupi parlamentar, Bilall Sherifi. Ai pasi që nënvizoi se subjekti i tij është kundër monopolit dhe angazhohet për treg të lirë, ai po ashtu, vlerësoi se kjo do të mund të arrihej vetëm nëpërmjet një Ligji të veçantë kundër monopolit.
Për sa i përket homologimit të automjeteve, ai tha se kjo praktikë duhet vijuar edhe në të ardhmen, sepse sipas tij, kjo ndodh edhe në shtetet më të avancuara të BE-së.
Homologimi vlerësoi ai, edhe tek ne, duhet të bëhet sipas praktikave që ndjekin shtetet e BE -së.
Seanca vijoi me diskutimet e deputetëve, të cilët vunë në dukje nevojën urgjente të demonopolizimit të homologimit të automjeteve.
Ndonëse shihej qartë pajtueshmëri unanime për zhbërjen e monopolit, lidhur me shkaktarin e gjendjes së krijuar, ndërkaq, u vunë re mospajtime të thella ndërmjet përfaqësuesëve opozitar dhe atyre të shumicës.
Pas shterimit të debatit, për të paraqitur konkluzionet dhe rekomandimet, fjalën e mori deputeti Lutfi Zharku,
Me këtë rast, ai në emër të iniciuesit kërkoi që Kuvendi të marrë vendim, së pari për: shfuqizimin e Urdhëresës Administrative të vitit 2018 (për homologimin e automjeteve), që brenda dy muajsh ministria të miratoi Urdhëresë tjetër administrative për këtë çështje dhe së fundmi të iniciohet plotësim - ndryshim i Ligjit për automjete.
Këto kërkesa në mungesë kuorumi nuk u hodhën në votim.

 

 

 

Nga mbledhja e jashtëzakonshme e KuvenditNga mbledhja e jashtëzakonshme e KuvenditNga mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit