Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Hënë, 10.06.2019




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, mbajti sot mbledhjen e radhës, udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, kryetar. Në këtë takim të ftuar për diskutime ishin përfaqësuesit e Këshillit Shtetëror për Cilësi (KSHC), si dhe Komisioni për Ankesa i Agjencionit për Akreditim të Kosovës.

 

Kryetarja e Komisionit për Ankesa, Shykrane Germizaj, bëri një prezantim kronologjik të procesit të zhvillimeve brenda këtij komisioni, lidhur me udhëzimin administrativ qe i përcakton kompetencat e këtij komisioni.

 

Debati është zhvilluar për proceset e mos akreditimeve të disa programeve të arsimit të lartë nga KSHC-ja, të cilat më pas kanë rezultuar me ankesa në Komisionin e Ankesave të Agjencionit për Akreditim të Kosovës. Sipas Germizajt, ankesat nuk janë shqyrtuar, pasi që KSHC-ja ka ndërhyrë për ndryshim të udhëzimit administrativ. Ajo tha se komisioni për ankesa nuk e ka tejkaluar asnjë dispozitë ligjore.

 

Kryetari i KSHC-së, Gazmend Luboteni, tha se pezullimi i shqyrtimit të ankesave është bërë më vendim të ministrit të Arsimit. Po ashtu ai theksoi se komisioni i ankesave nuk është organ që lëshon vendime, duke shtuar se organi epror përcaktohet me ligj.

 

Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, shtruan pyetje lidhur me atë nëse Komisioni i ankesave është organ i shkallës së dytë, pse është ndryshuar rregullorja e komisionit për ankesa etj. Ndërkaq, shqetësuese nga deputetët u konsiderua mos akreditimi i programeve të infermierisë dhe mësuesisë. Po ashtu u shtrua pyetja nëse është ngritur ndonjë padi në gjykatë apo prokurori lidhur me mospajtimet midis KSHC-së dhe Komisionit për ankesa.

 

Anëtarët e komisionit sugjeruan që të gjendet mundësia e një kompromisi nga dy organet.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...