Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Premte, 07.06.2019




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, mbajti mbledhje të përbashkët me Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave publike, të udhëhequr nga kryetarët e komisioneve, Muharrem Nitaj dhe Driton Selmanaj, lidhur me shqyrtimin e raportit të auditimit të performances, procesin e menaxhimit të grandeve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë

Ministrja e Ministrisë së Bujqësisë, Diana Ivic, para anëtarëve të komisionit tha se ministria që ajo drejton është në proces të analizimit të të gjitha raporteve të auditimit, lidhur me parregullsitë që janë krijuar. Tutje ajo shtoi se do të angazhohet që paratë publike të shpenzohet në mënyrë korrekte. Ndërkaq, shpenzimi prej 19 milionë eurosh, në ministri, sipas Iviç, është problem i mëhershëm.

"Gjatë mandatit tim prioritet do të jetë respektimi i ligjit dhe transparenca për të gjitha zhvillimet në Ministrinë e Bujqësisë", tha Iviç.

Vlora Spanca, përfaqësuese e Auditorit të Përgjithshëm e Zyrës Kombëtare të Auditimit, theksoi se pavarësisht rritjes së investimeve publike në sektorin e bujqësisë, Qeveria nuk ka arritur synimet kryesore për programin kombëtar. Ajo theksoi se Kosova nuk ka pranuar fonde të reja në sektorin e bujqësisë, ndërkaq komunat, sipas saj, nuk kanë sistem të rregulluar për dhënien e grandeve dhe subvencioneve. Spanca tha se mungon bashkëpunimi mes komunave dhe Ministrisë së Bujqësisë.

Anëtarët e komisionit shtruan një varg pyetjesh dhe ngritën shqetësime lidhur me procesin e menaxhimit të grandeve dhe subvencioneve, si dhe raportin e auditimit të performances, siç është: shpenzimi i 140 milionë eurove nga Qeveria në sektorin e bujqësisë, në nivel qendror dhe atë lokal, rënia e të mbjellave me grurë rreth 20 % etj.

Udhëzimi administrativ në fuqi për ndarjen e mjeteve financiare, nga ana e deputetëve u vlerësua diskriminues, pasi që sipas tyre, katër komunave në veri u jepen 80% të grandeve. Po ashtu, u kërkua që të dihet kujt i ndahen subvencionet etj.

Ministrja Ivic dhe përfaqësuesja e ZKA-së Spanca, u përgjigjen në pyetjet e deputetëve duke dhënë sqarimet nga ana e tyre.

Anëtarët e të dyja komisioneve, u dakorduan që Raporti i Auditimit të performancës, lidhur me procesin e menaxhimit të grandeve dhe subvencioneve të procedohet në seancë plenare në Kuvend.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...