Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Premte, 07.06.2019




Në dëgjimin publik të mbajtur sot nga ana e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, të ftuar ishin përfaqësues nga organizata të ndryshme jo qeveritare, sindikata, asociacione, të ndërmarrjeve publike, si dhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, për të diskutuar rreth amendamentimit të projektligjit për Transmetuesit Publik të Kosovës/RTK.

Pas fjalimit hyrës të kryetarit të komisionit, fjalën e mori përfaqësuesi i njërës nga sindikatat e pavaruara të RTK-së, Gëzim Bimbashi, i cili erdhi me disa rekomandime sa i përket projektligjit në fjalë.

Sipas tij, duhet të bëhet plotësim-ndryshim i projektligjit sa i përket financimit të RTK-së nga 2.50 euro, sa është paraparë në projektligj, në 3.00 euro. Më pas ai theksoi se duhet bërë gjithashtu ndryshime sa i përket pronës dhe pavarësisë së këtij operatori publik, duke lënë kështu më pak hapësirë për interferim nga ana e spektrit politik.

Mendim të njejtë sa i përket pronës dhe financimit ndau edhe kryetarja e bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi. Ndër të tjerash ajo potencoi se ky projektligj duhet ta zgjidhë edhe çështjen e hapësirës për programet e partive politike gjatë fushatave zgjedhore.

Gentiana Begolli-Pustina, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës/AGK, po ashtu erdhi me disa rekomandime lidhur me plotësim-ndryshimin e këtij projektligji. Sipas AGK-së, duhet të bëhet ndryshim në pikën në të cilën ceket përzgjedhja e bordit, duke e rritur numrin e anëtarëve të bordit të gjinisë femërore, nga 2 në 5 persona.

Ndërkaq, propozime për amandamentimin e projektligjit u dhanë edhe nga përfaqësuesi nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ai ndër të tjerash theksoi se është mjaft e rëndësishme pavarësia editoriale, ndërsa rekomandoi që të ndryshojë mënyra e shkarkimit të bordit, në rast se komisioni për dy herë radhazi dështon ta votojë raportin vjetor.

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media Nga dëgjimi publik i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media