Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Marte, 14.05.2019




Komisioni për Buxhet dhe Financa, kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, shqyrtoi dhe miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Nga Ministria e Financave i pranishëm ishte zëvendësministri Fatmir Gashi. Pasi paraqiti para anëtarëve disa detaje rreth projektligjit, Gashi u shpreh se qëllimi i projektligjit është shumë dimensional, nëpërmjet të cilit tentohet të arrihet rritja e cilësisë së administrimit të tokës, shërbimeve gjeohapësirore në zonat kadestrale, rindërtimin e kadastrave etj.

"Kjo do të arrihet nëpërmjet avancimit të platformave dhe kështu do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë e vendit", theksoi Gashi.

Ky projektligj parasheh që projekti në fjalë të implementohet nga Agjencia Kadestrale e Kosovës. Përmes këtij projektligji tentohet të arrihet organizimi i kadastrës dhe rritja e transparencës së kësaj fushe, u tha në komision.

Më pas anëtarët shqyrtuan kërkesën e drejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për caktimin e lartësisë së koeficientit dhe të pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të kësaj Agjencie. Me shumicë votash, komisioni caktoi grupin punes, që të analizojë kërkesën dhe në mbledhjen e ardhshme të vijë me një propozim për shqyrtim në Komision.

Gjithashtu, u diskutua edhe gjendja e Komisionit për Ndihmë Shtetërore. Pas një diskutimi të gjerë, komisioni u pajtua që në lidhje me këtë çështje, ta dërgojë një letër përcjellëse për ministrin e Financave, në mënyrë që të mund të gjindet një zgjidhje sa i përket ndarjes së buxhetit dhe krijimit të hapësirave për punë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa