Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Hënë, 13.05.2019




U shqyrtua dhe miratua raporti vjetor i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2018


Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, kryetar, shqyrtoi dhe miratoi raportin vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Udhëheqësi ekzekutiv i KKTK-së, Isuf Koci, paraqiti një përmbledhje të shkurtër të punës dhe aktiviteteve të realizuara nga ky institucion për vitin paraprak.

Koci deklaroi se KKTK-ja, ka shpenzuar mbi 20 milion euro. Ai tha se është investuar në më shumë se njëqind projekte, të cilat sipas tij, përfshijnë mbi njëqind asete për mbrojtje të zonave të veçanta.

Në vazhdim, ai tha se KKTK-ja është transparente dhe e hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet.

"Për të pasur një procedurë transparente, llogaridhënëse dhe me efikase, nga forma e plotësimit të aplikacionit me shkrim, KKTK-ja, ka arritur që me sukses të zhvillojë platformën elektronike për propozim shpallje në mbrojtje të përhershme. Qasje në platformë do të kenë të gjithë zyrtarët të cilët caktohen nga institucionet vartëse të MKRS-së", tha Koci.

Ndërsa, sfidë për KKTK-në, sipas Kocit, mbetet mos funksionimi i bordit, i cili është shpërbërë në korrik të vitit të kaluar.

Anëtarët e komisionit nga ana e tyre, kërkuan sqarime dhe u interesuan për çështjet që kanë të bëjnë me: bashkëpunimin e KKTK-së me MKRS-së, për pengesat në funksionimin e bordit, procesin e zhvillimit për lansimin e platformës etj.

Drejtori Hoti iu përgjigj pyetjeve të deputetëve duke i dhënë sqarimet e nevojshme.

Pas një debati të gjerë, komisioni me shumicë votash miratoi raportin vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2018.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...