Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Korporatën Energjetike të Kosovës

E Mërkure, 08.05.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, u takua sot me drejtorin e përgjithshëm të Korporatës Energjitike të Kosovës, Njazi Thaçi.

Në këtë takim e pranishme ishte kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, e cila potencoi se qëllimi i këtij takimi është mbikëqyrja e zbatimit të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Gjatë takimit u theksua se ligji është miratuar në prill të vitit të kaluar me procedurë të përshpejtuar dhe për këtë arsyje tani po has në probleme gjatë zbatimit.

Kryetarja Haxhiu shprehu interesim se kur janë caktuar zyrtarët përgjegjës në këtë institucion dhe a kanë ndjekur këta zyrtarë trajnime në lidhje me këtë ligj, cilat janë pengesat që KEK-u has gjatë zbatimit të këtij ligji, a ka pasur raste te konfliktit te interesit në institucion dhe a ka raste kur zyrtarët mbajnë pozita të dyfishta.
Ndërkaq, drejtori Thaçi tha se janë njoftuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit me hyrjen në fuqi të Ligjit dhe se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara sa i përket zbatimit të këtij ligji.

Ai bëri të ditur se është caktuar zyrtari përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesit, ashtu siç parashihet në ligj.

U tha se pas hyrjes në fuqi të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, nuk ka pasur raste të zyrtarëve me pozita të dyfishta brenda afatit të rregullt të punës.

Sa i përket Rregullores së brendshme, drejtori Thaçi tha se KEK-u ka rregullore të brendshme të cilat duhet të harmonizohen me ligjin në fuqi.

Anëtarët e komisionit do të vazhdojnë takimet në institucionet tjera për të parë sa më afër sfidat në zbatim të këtij ligji.

 

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Korporatën Energjetike të Kosovës