Lajmet e fundit

Një delegacion i arbëreshëve të Italisë qëndroi në Kuvend

E Premte, 03.05.2019




Në kuadër të aktivitetit "Ditët e Arbëreshëve në Kosovë", sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka qëndruar një delegacion nga arbëreshët e Italisë.

Deputetë të Kuvendit u uruan mirëseardhje bashkëkombësve nga Italia, duke i falënderuar njëkohësisht për gjithë atë që kanë bërë ndër shekuj për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në emër të qeverisë, ministri i Diasporës, Dardan Gashi tha se është i lumtur që takimi i parë të këtij lloji, me kryetarët arbëreshë, organizohet nga Ministria e Diasporës, në Kuvendin e Kosovës.

Duke vlerësuar lart kontributin e arbëreshëve në forcimin e lidhjes së shqiptarëve më civilizimin evropian, Gashi tha se edhe sot kur Kosova dhe Shqipëria kanë nisur rrugëtimin në Bashkimin Evropian, ata vazhdojnë të jenë ura lidhëse e popullit tonë me këtë civilizim.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, falënderoi Italinë për mbështetjen që i ka dhënë jo vetëm komunitetit arbëresh atje, por edhe Kosovës e Shqipërisë, në kohë dhe rrethana të ndryshme.

Në emër të GP të LDK-së, deputeti Armend Zemaj, tha se edhe në cilësi të kryetarit të grupit parlamentar të Miqësisë me Italinë, do të angazhohet për të forcuar bashkëpunimin edhe me komunitetin arbëresh. Ai shfaqi shpresën se në të ardhmen do të ketë edhe forma të tjera të bashkëpunimit.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Nait Hasani, tha se pjesëmarrja e arbëreshëve në Kuvendin e Kosovës tregon që të gjithë jemi shqiptarë. Ai tha se shqiptarët kanë bërë shumë për vende të tjera, ndërsa duhet bërë më tepër për vendin e tyre. Ai tha se historia e lashtë është një tregues i rëndësishëm i jetës së shqiptarëve si popull.

Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje tha se arbëreshët kanë arritur të ruajnë identitetin nëpërmjet gjuhës shqipe, traditave e zakoneve. Ajo theksoi nevojën që institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë të bëjnë më shumë, që të ketë më shumë shkëmbime.

Kryetari i GP të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se është obligim i institucioneve që të vazhdojnë marrëdhëniet me Italinë dhe arbëreshët. Ai tha se arbëreshët janë palca e kurrizit të arbrit, gjakut që ua mbajti gjithmonë jetën gjallë si shqiptarë të vërtetë.

Deputetja Shqipe Pantina nga PSD, theksoi se një ditë arbëreshët e Italisë do të jenë edhe ministra në shtetin italian. Ajo shtoi se arbëreshët janë shembulli më i mirë i ruajtjes së vlerave kombëtare, kjo falë edhe vlerave që përfaqëson shteti italian.

Ndërsa, në emër të grupit të arbëreshëve të Italisë, foli Rosario Petta, i cili tha se po e ndiejnë veten si në shtëpi të vëllezërve.

"Sot e ndjejmë vetën në shtëpinë tonë, Ndjehem në shtëpinë e një vëllai tim, i cili vetëm gjeografikisht jeton larg meje, vëlla që ka të njëjtin gjak në vena, sikur unë, gjak arbëresh", tha Petta.

 

Një delegacion i arbëreshëve të Italisë qëndroi në KuvendNjë delegacion i arbëreshëve të Italisë qëndroi në KuvendNjë delegacion i arbëreshëve të Italisë qëndroi në KuvendNjë delegacion i arbëreshëve të Italisë qëndroi në KuvendNjë delegacion i arbëreshëve të Italisë qëndroi në KuvendNjë delegacion i arbëreshëve të Italisë qëndroi në Kuvend