Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Legjislacion…

E Mërkure, 24.04.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur sot mbledhjen e rregulltë, të kryesuar nga Hajdar Beqa, nënkryetar.
Në këtë mbledhje, pas shqyrtimit, është miratuar Raporti vjetor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2018.
I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe kryetari i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Ramadan Gashi, i cili gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2018, ka treguar se kjo agjenci është e shtrirë në shtatë rajone të Kosovës. Ai tha se po punohet që kjo agjenci të shtrihet në të gjitha komunat.
Gjithashtu Gashi, tregoi për ofertën që i është bërë kësaj agjencie për të qenë departament në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, por tha se duhet të jetë kështu siç është, në mënyrë që puna të jetë më efikase.
Në vazhdim, anëtarët e këtij komisioni, pas shqyrtimit, kanë miratuar edhe Raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë për vitin 2018.
Drejtori i kësaj akademie, Valon Kurtaj, theksoi se ky institucion është duke mbajtur aktivitete të ndryshme, si trajnime në fushën civile, penale, për kundërvajtje, të së drejtës kushtetuese etj.
Po ashtu, ai theksoi angazhimin e kësaj akademie në krijimin e tryezave dhe punëtorive në fusha të ndryshme.
Në raport me zhvillimet ndërkombëtare, ai tha se Akademia e Drejtësisë, ka krijuar urë komunikimi në mes gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës dhe atyre të vendeve të Bashkimit Evropian.
Anëtarët e këtij komisioni, kanë miratuar edhe Raportin e Komisioneve Kryesore për Projektligjin nr.06/L-101, si dhe kërkesën e deputetit Billall Sherifi, për interpretimin e nenit 40 të Rregullores së Kuvendit.

Nga Komisioni për Legjislacion…