Lajmet e fundit

Nga mbledhja e komisionit për Bujqësi...

E Enjte, 18.04.2019




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, mbajti mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Muharrem Nitaj, kryetar, në të cilën shqyrtoi raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK) për vitin 2018.

Drejtori i AMKMK-së, Bislim Zogaj, paraqiti aspekte përmbajtësore të raportit, bazuar në punën e realizuar nga institucioni gjatë vitit të kaluar.

Sipas Zogajt, fokus i planit dhe punës së agjencionit që drejton ai, është planifikimi, projektimi, ndërtimi dhe mbikëqyrja e komplekseve memoriale në tërë territorin e Kosovës.

"Arritje e AMKMK-së për vitin 2018 janë: përmbushja e infrastrukturës ligjore veçanërisht, nxjerrja e legjislacionit sekondar sipas Ligjit të AMKMS-së, si dhe hartimi i akteve nënligjore", tha Zogaj.

Ndërkaq, sfidë e të ardhmes në këtë agjencion, sipas drejtorit Zogaj, do të jetë rritja e buxhetit lidhur me planifikimin, projektimin, ndërtimin, administrimin dhe menaxhimin e shumë komplekseve memoriale të Kosovës, rritjen e numrit të punëtorëve, si dhe bartjen e të gjitha projekteve nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në AMKMK.

Deputetët, nga ana e tyre shtruan pyetje dhe ngritën shqetësimet që kishin të bënin me: shpenzimet e Kompleksit Memorial "Adem Jashari në Prekaz të Skenderajt, si dhe caktimin e ndonjë date për fillimin e punimeve në këtë kompleks.

Po ashtu, u kërkua që të ketë auditor për çdo shpenzim të memorialëve, të bëhet zgjidhje sa më e shpejtë e Kompleksit "Ibrahim Rugova", si dhe të ketë mbikëqyrje dhe të punësuar për mirëmbajtjen e memorialëve.

Drejtori Zogaj, u përgjigj pyetjeve të deputetëve, duke dhënë sqarimet e nevojshme lidhur me fushëveprimtarinë e AMKMK-së.

 

 

 

Nga mbledhja e komisionit për Bujqësi...