Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 10.04.2019




Zbatimi i Ligjit për energjinë elektrike, ishte temë e debatit të sotëm në dëgjimin publik, të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.
Debatin e udhëhoqi deputeti Dardan Sejdiu, anëtar i Komisionit dhe kryesues i grupit punues për ecurinë e zbatimit të këtij ligji.
Duke folur për qëllimin e takimit, Sejdiu, fillimisht vuri në dukje angazhimet e Komisionit lidhur mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për energjinë elektrike.
Me këtë rast, ai bëri të ditur se, për të parë nga afër pengesat dhe shkaqet eventuale të mos zbatimit të këtij ligji, komisioni ka angazhuar edhe institutin INDEP për të hulumtuar sfidat e zbatimit të ligjit, dhe ato, komisionit t'ia paraqesë në formë raporti. Duke folur më pas për raportin e institutit INDEP, si dhe mbikëqyrjen nga ana e grupit punues, Sejdiu spikati disa çështje dhe nene, të cilat e pamundësojnë zbatimin në tërësi të Ligjit për energjinë elektrike.
Në emër të KOSTT-it foli Kadri Kadriu, zv/ kryesues i Bordit. Ai bëri të ditur se KOSTT-i ka adaptuar legjislacionin sekondar me pakon e ligjeve për energjinë elektrike dhe më pas nënvizoi se aktualisht ekziston legjislacion i përshtatshëm, i cili nxitë prodhimin e energjisë alternative.
Në vijim, përfaqësuesi i KOSTT-it foli edhe për shkaqet e humbjes së energjisë elektrike, si dhe kompensimin e saj nga ana e tyre.
Ndër sfidat me të cilat ballafaqohet KOSTT, e që kanë të bëjnë edhe me implementimin e Ligjit për energjinë elektrike, Kadriu vuri në dukje mungesën e një mekanizmi balancues, i cili në mënyrë të efektshme do të balanconte sasinë e prodhimit të energjisë në harmoni me konsumin e saj.
Për zbatimin e këtij ligji, qëndrimin e MZHE-së e bëri të ditur drejtori në këtë ministri, Luan Morina. Ai vlerësoi se për implementimin e këtij ligji, rol lehtësues do të ketë edhe ligji i miratuar së fundmi për investimet strategjike.
Më pas, fjalën e mori përfaqësuesi i KEDS- KESCO, Arbër Krasniqi, i cili vlerësoi se nuk është duke u zbatuar neni 61 i Ligjit, i cili sanksionon shfrytëzimin e pa autorizuar të energjisë. Ai po ashtu tha se nuk janë duke u zbatuar as nenet 46 dhe ai 53 i ligjit.
Për angazhimet e ZRRE-së, e që kanë të bëjnë me implementimin e ligjit foli Afrim Ajvazi.
Ai bëri të ditur se ZRRE, bazuar në obligimet ligjore, është përpjekur, dhe sipas tij ia ka arritur që të krijojë parakushte për liberalizimin e tregut të energjisë.
Me këtë rast, ai bëri të ditur se nga ZRRE- ja janë licencuar edhe 7 furnizues të ri me energji elektrike, ndërkaq, bëri të ditur se gjer metani ka qenë vetëm një operator, (KESCO).
Në fund të takimit, kryetarja e komisionit, Sala Berihsa- Shala dhe kryesuesi i takimit deputeti Sejdiu, kërkoi nga të pranishmit që vërejtjet dhe rekomandimet e tyre t'i dërgojnë me shkrim në Komision.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...