Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli merr pjesë në shënimin e 11-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës

E Hënë, 08.04.2019




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e shënimit të 11-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka thënë se ka thënë se Kushtetua është dinjiteti i shtetit tonë, prandaj duhet të jetë e qartë se vetëm duke e respektuar atë, do të respektohet dinjiteti e vetvetes.

Kryeparlamentari Veseli tha se 30 vite më parë, populli ynë u ngrit kundër të padrejtës, kundër suprimimit të autonomisë e të kushtetutës së asaj kohe, duke kërkuar të drejtën, lirinë, dinjitetin dhe sovranitetin, si komb i lirë i Evropës.

Mbi këtë bazë, shtoi Veseli, u ngrit edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, falë të cilës sot populli i Kosovës gëzon lirinë, në shtetin e pavarur dhe sovran, e po ashtu edhe këtë Kushtetutë, mbi standardet më të larta demokratike.

"Sot, pas tri dekadash, secili nga ne duhet ta pyes vetveten se ku jemi, a kemi arritur aty ku ishin idealet tona tri dekada më parë? A po mund të realizojmë dhe jetësojmë synimin të cilën e kemi, mbi bazën e sakrificës së shumë njerëzve të rënë në altarin e lirisë?", theksoi kryeparlamentari Veseli.


Ai tha se nuk ka vend të zhvilluar, i cili nuk e respekton Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Këtë, shtoi ai, duhet pasur në mbamendje të gjithë bartësit e përgjegjësive institucionale në Kosovë.

"Nëse ne e duam vendin tonë të lirë e të pauzurpuar, të zhvilluar e me të drejta për të gjithë qytetarët tanë, ne do t'ia arrijmë. Nëse kemi mëdyshje dhe hezitime, atëherë sigurisht që nuk do të jetë ajo rruga të cilën e kanë pasur ideal brezat e mëparshëm, apo që e kanë vizion gjeneratat e sotme dhe ato të nesërme. Mund ta arrijmë këtë. Besoj shumë në kapacitetet e njerëzve përgjegjës për ligjin dhe drejtësinë në Republikën e Kosovës. Besimi i qytetarëve do të jetë aty ku është e drejta, ku është Kushtetuta e Republikës së Kosovës", theksoi kryeparlamentari Veseli. ​

 

Kryeparlamentari Veseli merr pjesë në shënimin e 11-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës