Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Policinë e Kosovës

E Enjte, 28.03.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, në vazhdën e vizitave lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, u takua sot me Drejtorin e Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, Riza Shillova.
Në këtë takim morën pjesë kryetarja e Komisioni, Albulena Haxhiu dhe anëtari i komisionit, Korab Sejdiu.
Gjatë takimit, kryetarja Haxhiu theksoi se ky ligj është miratuar vitin e kaluar në procedurë të përshpejtuar, ndërsa tani po paraqiten probleme në zbatim të këtij ligji dhe njëkohësisht është bërë edhe decentralizimi nëpër institucione i parandalimit të konfliktit të interesit dhe qëllimi është që të tejkalohen këto pengesa. Kryetarja po ashtu shprehu interesim se kur janë caktuar zyrtarët përgjegjës në këtë institucion dhe nëse ka pas trajnime për zyrtarët në lidhje me këtë ligj.
Ndërkaq z. Shillova tha se është caktuar zyrtari përgjegjës, por në kuadër të strukturimit të Policisë së Kosovës është paraparë sektori i integritetit i cili do të merret edhe me rastet e konfliktit të interesit, që do të jetë edhe në rajone dhe jo vetëm në nivel qendror.
Po ashtu u tha se Policia e Kosovës ka nxjerrë shumë rregullore të brendshme të cilat ndërlidhen edhe me parandalimin e konfliktit të interesit. Në kuadër të aktiviteteve të planit të integritetit është përmendur edhe parandalimi i konfliktit të interesit përmes udhëzimeve të nxjerra.
Gjatë takimit u theksua se në Policinë e Kosovës ka raste ku një zyrtar ushtron më shumë se një pozitë, por janë në kuadër të rregullave dhe procedurave për punë dytësore i cili nuk bie ndesh me ligjin për Parandalim të Konfliktit të Interesit. Ndërsa, u përmend që ka pasur raste për konflikt interesi të një zyrtari, ndaj të cilit janë marrë masa sipas ligjit, por ka pasur edhe rast që vet zyrtari ka deklaruar që është në konflikt interesi, për të cilën ka dhënë dorëheqje nga pozita tjetër.
Ndër të tjera z. Shillova tha se ligji është i përgjithshëm dhe është problem për të interpretuar ligjin pa u nxjerr aktet nënligjore, duke pohuar se për bazë marrin punën primare të cilën bëjnë, që është me interes publik dhe pastaj mund të shihet puna dytësore për të mos dëmtuar kapacitetin e zyrtarit.
Nga ana tjetër, është propozuar që në ndryshim plotësimin e ligjit për deklarim të pasurisë nga Policia e Kosovës të deklarojnë pasurinë edhe 867 zyrtarë policorë, sepse vetë puna e tyre është shumë e ndjeshme.
Në fund anëtarët e komisionit kërkuan që të ndërmerren masa për njoftimin e zyrtarëve policorë me ligjin, duke u bërë një fushatë vedijësuese, në mënyrë që të parandalohet konflikti i interesit.

 

 

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Policinë e Kosovës Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Policinë e Kosovës Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Policinë e Kosovës Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Policinë e Kosovës