Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Marte, 12.02.2019




Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga Blerta Deliu-Kodra, kryetare, raportoi ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, lidhur me zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) dhe Agjendës për Reforma Evropiane (ERA).

Fillimisht, kryetarja Deliu-Kodra kërkoi të dhëna lidhur me punën e kësaj ministrie që ka të bëjë me zbatimin dhe ngecjet në çështjen e PKZMSA-së dhe ERA-s.

Duke u bazuar në raportin për vendin, të vitit të kaluar, Deliu-Kodra tha se është bërë pak progres, sidomos në luftën ndaj terrorizmit dhe në masat që janë kërkuar në çështjen e ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit, si dhe në parandalimin e qytetarëve në konfliktet e huaja.

Ajo po ashtu përmendi se në këtë dokument është kërkuar që Kosova të krijojë qasje strategjike ndaj hetimeve financiare dhe se janë kërkuar edhe hapa konkretë edhe në fushën e regjistrit civil, të reformës në polici, të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimeve kibernetike, luftës kundër narkotikëve etj.

Kryetarja Deliu kërkoi sqarime nga ministri Mustafa lidhur me bashkëpunimin me Policinë sa i përket rastit të vajzës së mitur në Drenas, ndërsa pyeti atë nëse ky rast do ta lëndojë kredibilitetin e institucioneve më të fuqishme në vend dhe më të besueshme nga qytetarët.

Ministri Mustafa fillimisht dha sqarime lidhur me objektivat e realizuara nga MPB-ja lidhur me zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) dhe Agjendës për Reforma Evropiane (ERA). Duke përmendur masat që kanë përfunduar, mes tjerash ai përmendi edhe strategjinë e re kundër terrorizmit, duke dhënë në vijim rezyme të gjerë rreth aktiviteteve tjera që janë ndërmarrë në vitin 2018.

Sa i përket rastit të fundit në Drenas, ministri Mustafa tha se rasti në fjalë ndikon mjaft në kredibilitetin dhe besueshmërinë e Policisë, por nëse hetohet rasti në mënyrën më adekuate, atëherë, sipas tij, nuk do të humbet besueshmëria në këtë institucion.

"Rastin në Drenas e kemi marrë me seriozitet. Kemi bashkëpunuar dhe kemi ftuar të gjithë akterët e involvuar në këto raste dhe kemi kërkuar që të hetohet që nga fillimi rasti i policit të përfshirë në këtë aktakuzë. Për të gjitha, opinioni do të jetë i njoftuar me kohë", theksoi ministri Mustafa, duke shtuar se bashkëpunimi me Policinë është në nivelin e duhur dhe se është kërkuar në mënyrë urgjente që zgjidhet kjo çështje dhe të vije deri në dënimin e akterëve që janë të përfshirë në këtë rast.

Në vijim, diskutuan edhe anëtarë të tjerë të komisionit dhe i adresuan pyetje ministrit Mustafa për tema të ndryshme, i cili dha sqarimet e nevojshme në çështjet e ngritura.

Në vijim Komisioni shqyrtoi edhe raportin plotësues për Projektligjin nr. 06/L-088 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-042 për Rregullimin e Shërbimeve të ujit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

 

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane