Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit

E Premte, 08.02.2019




Kuvendi i Republikës së Kosovës, me kërkesë të 40 deputetëve, ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme, në të cilën është debatuar lidhur me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës.
Kjo seancë është drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, e më pas nga nënkryetarja Mufera Shinik.
Fillimisht, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, bashkëinicuese e kësaj seance, ka folur deputetja Fatmire Kollçaku.
Ajo ka thënë se kjo seancë është thirrur, pasi në rastin e vajzës nga Drenasi, kanë dështuar organet e hetuesisë.
Kollçaku ka kërkuar konsensus nga deputetët e të gjitha grupeve parlamentare për këtë çështje, që në fund të seancës të dalin me një rezolutë të përbashkët.
Duke folur për rastin, ajo ka thënë se abuzuesit ishin ata që do duhej të ishin autoritet, ku fëmija do duhej të kishte besim.
"Abuzimi filloi në shkollë. Kur e mitura u drejtua në polici- aty krimi u përsërit, dhe vazhdoi në një institucion privat shëndetësor, që nuk kishte licencë. Pra, kemi shkelje në tri nivele. Kemi shkelje të konventave vendore e ndërkombëtare", ka thënë Kollçaku.
Ajo ka bërë thirrje që të gjitha institucionet të angazhohen seriozisht në parandalimin e shkeljes së të drejtave të fëmijëve.
Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, bashkëinicues të kësaj seance, ka folur deputetja Lirije Kajtazi.
Rasti i vajzës së mitur, ka thënë Kajtazi, është një sinjal alarmi se këtu ka dështuar një sistem i tërë.
Ajo ka thënë se ky rast tregon se dhuna në familje është në rritje.
Më pas Kajtazi ka thënë se Kosova ka Kushtetutë që i mbron qytetarët, ka ligje, të cilat do duhej të ishin obligim për të gjithë.
Ajo po ashtu ka folur se si Kuvendi shqyrton raporte të institucioneve të ndryshme, por nuk ndalet shumë në detaje.
Kajtazi ka vlerësuar se drejtësia është mbushur me padrejtësi, duke kërkuar që shkollat të kenë pedagogë dhe sociologë.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka folur deputeti Elmi Reçica, i cili ka thënë se kjo ngjarje është e ndjejshme, e prekshme dhe shumë e rëndë.
"Si Kuvend duhet të shprehin indinjatën tonë me rastin e abuzimit të një të miture nga Drenasi. Me këtë rast duhet të shprehim keqardhje për vajzën dhe familjen e saj. Është e papranusheme dhe e dënojmë ashpër këtë akt të shëmtuar kriminal", ka thënë Reçica.
Ai ka kërkuar që të gjitha institucionet përgjegjëse të marrin masa, në mënyrë që drejtësia ta zbardh rastin në tërësi, që do duhet të jetë shembull dhe sinjal i qartë edhe për të tjerët që ju shkon mendja të bëjnë krime të tilla.
Reçica ka thënë Kuvendi duhet të fokusohet që institucionet tjera të jenë shumë aktive në parandalimin e rasteve të tilla.
Deputetja Albulena Haxhiu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se rrëfimi i nxënës së abuzuar shumëfish tregon për shtrirjen e krimit institucional, pasi që ngjarja përfshinë shkollën, policinë dhe shëndetësinë.
Haxhiu ka thënë se fatkeqësisht institucionet e vendit janë plotë abuzues.
Ajo ka thënë se në këtë rast është shfrytëzuar një vajzë jo vetëm e mitur, por edhe në gjendje të rëndë ekonomike.
"Kush di sa e sa raste të tilla janë, sepse nuk do të flasin asnjëherë në polici e prokurori, edhe pse gabojnë nëse nuk flasin. Çka duhet të ndodh në këtë shoqëri që ne të zgjohemi", ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se në rastin e abuzimit të vajzës nga Drenasi, kanë dështuar institucionet e shtetit, duke kritikuar edhe ministrat për këtë rast.
Ajo u ka bërë thirrje të gjitha atyre vajzave dhe grave që kanë probleme të tilla, të lajmërohen te deputetet e Kuvendit, duke u zotuar se do të kenë përkrahjen e tyre.
Në vazhdim, Visar Ymeri ka folur në emër të Grupit Parlamentar të PSD-së.
Ai ka thënë se në këtë rast shteti ka dështuar.

"Nuk ndërtuam shtet që mbron, por shtet që dhunon, sepse në këtë krim kemi të përfshira tri institucione shtetërore", ka thënë Ymeri.
Ai ka thënë se në këtë rast, pjesë e krimit janë mësuesi, polici dhe mjeku. Por, përtej sjelljes së tyre kriminale, Ymeri ka pyetur nëse ka strukturë të shtetit që merret me këtë çështje.
Ai ka thënë se rasti i vajzës nga Drenasi, tregon se në këtë vend ka shtypje të gjinisë dhe se nuk ka barazi gjinore në këtë vend.
Ymeri ka shtuar se rasti në fjalë, duhet të jetë alarm edhe për rastet tjera.
Po ashtu, ai ka thënë se ajo që është parë këto ditë në formë të reagimit, është inkurajuese. Prandaj pas reagimit shoqëror, Ymeri ka kërkuar të ketë reflektim dhe reagim institucional.
Në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, ka folur Ahmet Isufi, i cili e ka dënuar këtë akt të shëmtuar.
Ai ka kërkuar që drejtësia të veprojë siç duhet, në përputhje me ligjet në fuqi.
"Si deputetë kemi obligim të japim ide për zgjidhje konkrete që mundësojnë që të mos ndodhin veprime të tilla në shoqëri në të ardhmen. Ne duhet të kërkojmë që në institucionet arsimore dhe të tjera të shtohet përgjegjësia", ka thënë Ahmeti.
Po ashtu, Ahmeti ka thënë se deputetët e kanë obligim që të monitorojnë çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e rendin dhe ligjit.
Nder të tjera, ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë, që gjithë ata kriminelë të përfshirë në këtë rast, të dënohet me dënime maksimale, në përputhje me ligjet që janë në fuqi.
Isufi ka inkurajuar të gjitha vajzat e gratë që mund të jenë pre e ngacmimeve seksuale të lajmërojnë institucionet, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të NISMA Social-Demokrate, Albulena Balaj- Halimaj ka thënë se në këtë rast, ka ndodhur një krim zinxhiror, ku hallka e parë ishte shkolla, e që do duhet të ishte vatër mësimi.
Vjaza e mitur, ka thënë ajo, kërkoi ndihmë në hallkën e dytë, në shtëpinë e dytë - në polici, ku edhe aty fatkeqësisht u keqpërdor.
"Hallka e tretë i mbylli sytë, ia mori jetën foshnjës dhe e rrezikojë shëndetin e vajzës", ka thënë ajo.
Në këtë rast, Balaj- Halimaj ka thënë se është shkelur Konventa e të Drejtave të Fëmijëve.
Ajo po ashtu ka thënë se shoqëria nuk duhet të lejojë që abuzuesit e tillë të shkelin as në oborrin e shkollës, e lëre më ta kapin ditarin.
Deputetja Balaj- Halimaj ju ka bërë thirrje të gjithë prindërve që mos të heshtin në asnjë rast, dhe që të jenë sa më afër fëmijëve të tyre.
Ajo ka kërkuar që të identifikohen dhe të nxirren para drejtësisë abuzuesit e këtij rasti dhe rasteve të tjera.
Po në këtë frymë, në emër të Grupit Parlamentar 6 +, ka folur Mufera Shinik,e cila e ka dënuar rastin dhe ka kërkuar marrjen e masave ndaj kryerësve të akteve.
Gjatë diskutimeve të tyre, deputetët e të gjitha grupeve parlamentare e kanë dënuar këtë rast. Ata kanë kërkuar që organet përgjegjëse të merren seriozisht me abuzuesit, dhe që përgjegjësit e këtij akti të rëndë ta marrin dënimin e merituar.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e protestës së sotme në Drenas, duke inkurajuar qytetarët që të jenë sa më të zëshëm ndaj këtij rasti dhe rasteve të tjera. Por Veseli ka shtuar gjithashtu se rastet e tilla nuk mund të përdoren për të njollosur të gjithë njerëzit që punojnë nëpër institucione.
Pas shterjes së diskutimit, seanca krijoi grupin punues nga përfaqësues të grupeve parlamentare, për harmonizimin e rekomandimeve, të cilat gjatë ditëve në vijim do të paraqiten për votim në seancë.

 

 

Nga punimet e seancës së jashtëzakonshme të KuvenditNga punimet e seancës së jashtëzakonshme të KuvenditNga punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit