Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet

E Mërkure, 05.12.2018




Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, ka shqyrtuar një mori projektligjesh, përfshirë këtu, edhe atë për ratifikimin e Marrëveshjes për Kredi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria Ag, për Projektin e sistemit për largimin e ujërave të zeza për komunën e Podujevës.

Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kredi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria Ag për Projektin e sistemit për largimin e ujërave të zeza për komunën e Podujevës, si dhe Projektligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, (i cili në mbledhjen e sotme është shqyrtuar në parim), i paraqiti dhe arsyetoi ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza.

Pas kësaj, komisioni i miratoi ato, sikurse Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, dhe amendamentet e Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe amendamenteve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Raportin me rekomandime të Grupit Punues të Komisionit, lidhur me Projektligjin për tatimin në të ardhurat personale, si dhe Raportin me rekomandime të Grupit Punues të Komisionit, lidhur me Projektligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave.

Në fund të kësaj mbledhjeje, përfaqësues të GIZ-it, para komisionit shpalosën një analizë të bërë prej tyre, e që kishte të bënte me Projektligjin e buxhetit për vitin 2019.

 

Mbledhja e Komisionit për Buxhet