Lajmet e fundit
Veseli: Kosova po ndërton ura fizike dhe miqësie me vendet fqinje
E Mërkure, 29.05.2019
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, tha sot në ceremoninë e hapjes së segmentit R6 të autostradës "Arbën Xhaferi" në Han të Elezit, se Republika e Kosovës pas dy dekadash po dëshmon se është faktor stabiliteti në rajon, duke ndërtuar ura fizike por edhe miqësie me vendet e rajonit.
Veseli tha se Kosova po ndërton rrugë dhe ura që lidhin bashkëqytetarët dhe vendet tona, Republikën e Kosovës me Republikën e Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë së Veriut, e po ashtu së shpejti edhe me Malin e Zi, nëpërmjet një projekti shumë të madh infrastrukturor.
Veseli tha se ky është interes strategjik dhe ekonomik i Kosovës.
"Ne po lidhemi edhe me urat e miqësisë, të bashkëpunimit e të fqinjësisë së mirë", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Duke ju drejtuar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe atij të Malit të Zi, të cilët ishin prezentë në këtë inaugurim, kryetari i Kuvendit tha se te Kosova gjithmonë do të gjejnë një partner të veçantë, të sinqertë dhe bashkëpunues me shtetet dhe popujt e tyre.
Ai shtoi se orientim i Kosovës do të jetë zhvillimi ekonomik, shteti ligjor, sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
"Sot të gjithë po e shohin se Kosova jo vetëm po qëndron financiarisht dhe ekonomikisht, por ajo është e fuqishme të bëjë mrekulli. Falënderoj edhe të gjithë përfaqësuesit e vendeve mike të Kosovës, ambasadorin e SHBA-ve, Kosnet dhe secilin ambasador të secilit vend mik. Keni besim në shtetin e Kosovës. Kosova është një vend demokratik, ku sundon ligji. Ajo do të jetë përherë mirënjohëse dhe partnere e juaja", theksoi kryeparlamentari Veseli.