Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli ngushëllon familjen Zherka

E Shtune, 15.06.2019




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli,
i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Zherka, me rastin e vdekjes së gazetarit të njohur Lekë Zherka.

"Me trishtim dhe pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur dhe shumë të dashur, Lekë Zherkës.

Vdekja e hershme këtij emri të njohur të gazitarisë shqiptare, është humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për Ju, për miqtë dhe gazetarinë tonë, të cilës Leka i kontribuoi për disa dekada me shumë pasion dhe profesionalizëm.

Profesionist i mirëfilltë, shembull i rrallë i përgjegjshmërisë dhe ndershmërisë.

Me punën e tij ai kontribuoi në ngritjen dhe zhvillimin e shumë mediave në Kosovë, në edukimin e kuadrove duke ndjekur gjithmonë standardet më të larta të gazetarisë.

Shëmbëlltyra e tij do të kujtohet përjetësisht me respekt të veçantë, ndërsa vepra e tij do të mbetet e pavdekshme.

Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, në emër të Kuvendit dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta", thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryeparlamentarit Veseli.

 

Kryeparlamentari Veseli ngushëllon familjen Zherka