Lajmet e fundit

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike vizitoi Njësinë Qendrore Harmonizuese

E Hënë, 25.03.2019




Në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit 06/L-021 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, ka realizuar sot një vizitë pune në Njësinë Qendrore Harmonizuese, ku është pritur nga drejtori i kësaj njësie, Kosum Aliu.
Komisioni diskutoi në lidhje me përparësitë dhe pengesat që ka kjo njësi gjatë punës së saj, dhe për pengesat ligjore që mund t'i kenë në realizimin e detyrave të tyre.
Drejtori i njësie, Kosum Aliu, i njoftoi anëtarët e komisionit se kjo njësi është në proces të hartimit të akteve nënligjore, ku disa nga to tani kanë marrë aprovimin e ministrit të Financave si Udhëzim administrativ MF -nr. 01/2019 për themelimin dhe funksionimin e komitetit të auditimit në subjektin e sektorit publik dhe Rregullore QRK - nr. 01/2019 për themelimin dhe zbatimin e funksionit të auditimit të brendshëm në subjektin e sektorit publik. Ndërsa, Rregullorja për Menaxhim Financiar dhe Kontroll, pritet të aprovohet së shpejt.
Aliu bëri të ditur se të gjitha aktet nën ligjore do të përfundojnë deri në afatin ligjor.
Ai potencoi gjithashtu edhe problemet që kanë Auditorët e Brendshëm dhe Njësitë e Auditimit të Brendshëm në nivel të Institucioneve etj., pastaj lidhur me katalogimin e vendeve të punës, sipas Ligjit për Pagat për Auditorët e Brendshëm, duke shprehur shqetësimin se nuk janë përfshin në katalogimin e ri të pagave. Problem në vete, shtoi ai, mbetet edhe pozita për Drejtor të Buxhetit dhe Financave në Komuna dhe Zyrtarit Kryesorë Financiarë, që sipas udhëzimit të ri administrativ, njëra nga këto pozita do të duhet të shuhet.
Kryetari i komisionit premtoi se kjo njësi do ta ketë në vazhdimësi përkrahjen e komisionit për aq sa ka hapësirë ligjore dhe se në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të këtij ligji do të jenë në koordinim me këtë njësi.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike vizitoi Njësinë Qendrore Harmonizuese