Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Administratën Tatimore të Kosovës

E Mërkure, 20.03.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, u takua sot me Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

Në këtë takim morën pjesë kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu dhe zëvendëskryetari i parë, Hajdar Beqa, ku u tha se qëllimi i këtij takimi është mbikëqyrja e zbatimit të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Kryetarja Haxhiu theksoi se ky ligj është miratuar vitin e kaluar dhe tani po paraqiten probleme në zbatim e tij. Ajo tha se njëkohësisht është bërë edhe decentralizimi nëpër institucione i parandalimit të konfliktit të interesit dhe qëllimi është që të tejkalohen këto pengesa. Kryetarja po ashtu shprehu interesim se kur janë caktuar zyrtarët përgjegjës në këtë institucion.

Ndërkaq z. Murtezaj tha se nëpërmjet Divizionit të Standardeve Profesionale monitorohet procesi i konfliktit të interesit dhe rregulloreve të brendshme, duke pohuar se zyrtarët e ATK-së janë të detyruar të deklarojnë konfliktin e interesit. Po ashtu ai tha se zyrtarët tatimorë për punë sekondare kanë detyrim të bëjnë kërkesë për të bërë një punë jashtë ATK-së, i cili është i dizajnuar asisoj që mund të parandalohet konflikti i interesit nëse ka.

Gjithashtu, sa i përket trajnimeve, Murtezaj tha se zyrtarët tatimorë ndjekin trajnime vjetore në lidhje me detyrat, përgjegjësitë dhe parandalimin e konfliktit të interesit.

Në takim u tha se Administrata Tatimore e Kosovës është një hap para ligjit, ngase, siç u tha, ka divizionin për Standarde Profesionale i cili përbëhet nga tre zyrtarë.

Nga ana tjetër anëtarët e komisionit kërkuan që rregulloret të harmonizohen me ligjin e ri, duke u interesuar nëse ka ndonjë pengesë në zbatim të ligjit.

Gjatë takimit u theksua se nga masat edukative dhe strikte në këtë institucion vetëm në dy raste ka pas për konflikt interesi të cilat janë paraqitur dhe atë me ligjin e vjetër dhe jo me ligjin e ri, ngase, siç u tha, vepra ka ndodhur me ligjin e vjetër.

Zhvillimi i teknologjisë informative është ndihmesë e madhe për parandalimin e konfliktit të interesit dhe po ashtu edhe ligji për nëpunësit shtetërore, sepse i përshtatet natyrës së punës të këtij institucioni, u vlerësua në takim.

Në fund anëtarët e komisionit u shprehën të kënaqur me punën dhe angazhimin e këtij institucioni në lidhje me luftimin dhe parandalimin e konfliktit të interesit.

 

 

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Administratën Tatimore të Kosovës Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Administratën Tatimore të Kosovës