Lajmet e fundit

Komisioni për Arsim... takoi një delegacion nga Universiteti i Indianas të SHBA-së

E Premte, 08.03.2019




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, i drejtuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, ka pritur sot në takim një delegacion nga Universiteti i Indianas të SHBA-së.

Kryetari komisionit, Ismajl Kurteshi, i njohu mysafirët nga SHBA-ja me sistemin arsimor në Kosovë, bazën ligjore dhe mënyrën e ndërtimit e të funksionimit të tij.

Po ashtu, Kurteshi përmendi edhe mangësitë që e shoqërojnë kët sistem, si dhe për rolin e komisionit që ai drejton.

"Komisioni është i angazhuar edhe në ngritjen e nivelit të arsimit në Kosovë pasi që arsimi nuk është në nivelin e duhur në vendin tonë. Janë disa ligje të cilat i kemi aprovuar apo presim t'i aprovojmë. Si komision kemi organizuar tryeza të ndryshme për çështje të arsimit", theksoi Kurteshi.

Në vazhdim, Kurteshi bëri një përshkrim të ndërtimit dhe funksionimit të sistemit arsimor në Kosovë, nga çerdhet deri te universitetet.

Anëtarë të delegacionit nga Universiteti i Indianas, u interesuan për hollësi të tjera të sistemit arsimor në Kosovë, siç është vlerësimi i nxënësve. Dekani
Lemuel W. Watson tha se duhet të përshtatën nevojat e mësimdhënësve me vizionin për sistemin arsimor në Kosovë.

"Unë e di që këtu ka pasur shumë trajnime, por pyetja kryesore është se cilat janë nevojat e mësimdhënësve dhe cili është vizioni i sistemit arsimor në Kosovë? Nëse nuk i trajnojmë njerëzit se si të jenë kreativë, atëherë asgjë nuk është efektive", tha Watson.

Gjatë takimit diskutuan edhe anëtarë të tjerë të komisionit, të cilët theksuan nevojën e largimit të politikës nga arsimi dhe të një investimi më të madh në Fakultetin e Edukimit.

Po ashtu, u vlerësua i domosdoshëm hartimi i një master plani, i cili do të merrte parasysh nevojat e tregut, duke iu përshtatur trendëve të rinj të zhvillimit teknologjik

 

Komisioni për Arsim... takoi një delegacion nga Universiteti i Indianas të SHBA-së