Lajmet e fundit

Deputetët nuk përfitojnë pensione të veçanta, pavarësisht se kur shpërndahet Kuvendi

E Mërkure, 31.07.2019




Reagim i Nait Hasanit, kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

Në vazhdën e dezinformatave, pas Gazetës "Express", sot (e mërkurë), edhe Gazeta "Zëri", në shkrimin me titull : "Nëse Kuvendi shpërndahet para 3 gushtit, deputetët humbin privilegjet", ka publikuar informata të pakonfirmuara.
Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, reagon ndaj Gazetës "Zëri", dhe sqaron opinionin publik, se deputetët, pavarësisht se kur shpërndahet Kuvendi, nuk përfitojnë pensione suplementare apo të veçanta, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (http://gjk-ks.org/ëp-content/uploads/vendimet/gjk_ko_119_10_shq.pdf)

Të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, përfshirë edhe privilegjet, janë të përcaktuara qartë në Ligjin nr. 03/L-111 dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sqarimet rreth të cilave çështje mund t'i gjeni në vijim të tekstit:

Përfitimet e deputetit pas përfundimit të mandatit:

Sipas neneve 14 dhe 16 të Ligjit nr. 03/L-111 për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, deputeti ka të drejtë në kompensimin e pagës kalimtare pas përfundimit të mandatit, deri në fillimin e realizimit të të hyrave financiare nga ndonjë burim tjetër, që nga dita e përfundimit të mandatit deputetit ka të drejtë në pagë bazë për dymbëdhjetë (12) muaj.

Rregullorja e Kuvendit, Shtojca, nr. 4

Të drejtat shtesë të deputetit:

Rregulla 2: E drejta e kompensimit material në të ardhura mujore

Deputetit, pas përfundimit të rregullt të mandatit, i takojnë të ardhurat mujore për periudhën prej dymbëdhjetë (12) muajve, po që se gjatë kësaj kohë nuk kthehet në vendin e punës, të cilin e ka pasur para zgjedhjes deputet, ose në vend tjetër të përshtatshëm për të.
Bazuar në dispozitat e Ligjit nr. 03/L-111 për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe në dispozitat e Rregullores së Kuvendit, deputeti ka të drejtë në kompensimin e pagës kalimtare deri në dymbëdhjetë (12) muaj, nga dita e përfundimit të mandatit.
Në raste të tilla, kur shkruhet për deputetët, është e udhës që të kontaktohen zyrtarët përgjegjës të Kuvendit të Kosovës.
Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kërkon nga Gazeta "Zëri", që ta publikojë këtë reagim, dhe të kërkojë falje publike.

 

Deputetët nuk përfitojnë pensione të veçanta, pavarësisht se kur shpërndahet Kuvendi