Lajmet e fundit
Veseli takon kongresmenin amerikan Gerald E. Connolly: Flasin për të ardhmen e Kosovës në NATO
E Hënë, 15.07.2019
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur të hënën paradite në Washington në takim nga kongresmeni Gerald E. Connolly, kryesues i delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan.
Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli e njoftoi kongresmenin me zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, ndërsa kanë diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Në 20 vjet liri që nga çlirimi, Veseli tha se Kosova ka arritur progres në të gjitha fushat falë bashkëpunimit të ngushtë me aleatët e përhershëm, SHBA-të dhe vendet mike perëndimore.
"Pas transformimit të FSK-së në ushtri, objektiv kryesor i Kosovës në fushën e sigurisë është anëtarësimi i plotë në Aleancën Veriatlantike, NATO", tha Veseli.
Nga ana e tij, kongresmeni amerikan shprehu mbështetjen e SHBA-së për hapat e mëtejmë të rrugës euro atlantike të Kosovës.
"Kosova në të ardhmen e afërt duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe BE dhe në këtë rrugëtim do ta keni mbështetjen e SHBA-së", tha kongresmeni Gerald E. Connolly.
Gjatë këtij takimi, Veseli e informoi kongresmenin Gerald E. Connolly edhe për nismën e tij për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, ide kjo e cila u mbështet nga kongresmeni amerikan.
"Të gjithë kriminelët e luftës duhet të përgjigjen para drejtësisë për krimet që kanë kryer ndaj civilëve të pafajshëm. Duhet të vijë drejtësia në vend për viktimat e luftës", tha kongresmeni Gerald E. Connolly.