Lajmet e fundit

Nga Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Premte, 12.07.2019




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, u shqyrtua Raporti Vjetor i Bankës Qendrore së Republikës së Kosovës për vitin 2018.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, para anëtarëve të komisionit paraqiti disa nga aktivitetet që BQK-ja ka zhvilluar përgjatë vitit 2018, si: analiza ekonomike, statistikore, mbikëqyrjen financiare, menaxhimin e mjeteve, duke theksuar po ashtu se edhe zhvillimi ekonomik i vendit gjatë këtij viti është për t'u vlerësuar. Si përfundim ai këtë raport e konsideroi si mjaft pozitiv, duke u nisur nga fakti që ka sfida dhe probleme që nuk janë lehtë të tejkalueshme.

Ndërkaq, pothuajse të gjithë anëtarët e komisionit si sfidë kryesore për BQK-së e paraqiten çështjen e institucioneve mikrofinanciare. Andaj, ata një zëri u pajtuan që në shtator të këtij viti të zhvillojnë një takim me drejtuesit e BQK-së, për të diskutuar në mënyrë më të detajuar sa i përket institucioneve mikrofinanciare, që së bashku të gjejnë një zgjedhje për këtë fushë, e cila mbetet akoma shqetësuese.
Pas diskutimeve, komisioni miratoi raportin e paraqitur.

Nga Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa