Lajmet e fundit
Veseli: Do të vazhdojmë investimet në shëndetësi, për tu ofruar shërbime dinjitoze qytetarëve tanë
E Mërkure, 10.07.2019
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përuruar sot ambientet e renovuara të Kardiologjisë Invazive me njësinë e re koronare në QKUK.
Kryeparlamentari Veseli tha se kjo punë e realizuar, është dëshmi se kur profesionalizmi dhe vullneti politik bëhen bashkë, mund të arrihet çdo gjë.
Ai tha se mesazhi për qytetarët është se në këto ambiente do të trajtohen njëjtë, si kryetari i Kuvendit, ashtu edhe fermeri e secili qytetar tjetër.
"Ky është një sukses i jashtëzakonshëm. Punëtorët shëndetësorë i kemi shumë profesionalë dhe shërbimi është jashtëzakonisht cilësor. Do të ecim përpara, që të jemi edhe më afër qytetarëve, që të kenë siguri dhe mundësi për të marrë shërbime të barabarta", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se është dëshpëruese nëse e kthejmë kokën pas dhe kujtojmë gjithë ato miliona të qytetarëve tanë të varfër, të derdhur në vendet përreth dhe në vende të tjera, për shërbime të cilat kanë mundur të jepen në Kosovë.
"Kjo është edhe një arsye pse ne duhet të jemi të vendosur edhe për gjëra të tjera, të cilat duhet të përmirësohen. Mund të zotohem se investimet në shëndetësi do të rriten dhe qytetarët do të ndiejnë veten të barabartë në marrjen e shërbimeve shëndetësore. E përgëzoj ministrin për punën që po bënë dhe po ashtu i falënderoj gjithë punëtorët shëndetësorë për punën profesionale", tha Veseli.
Renovimin e këtyre ambienteve, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, e cilësoi një lajm të mirë për qytetarët e Kosovës, ngase, sipas tij, krijon kushte për trajtim të shpejtë të tyre.
"Sot arrihet të merret shërbimi në kohë të shpejtë, pa dallim dhe pa asnjë intervenim. Shërbimin të parët e marrin ata që vijnë më herët. Pra, nuk kemi lista të pritjes. Përveç që shpëtohet jeta, kursehet edhe xhepi i qytetarëve, të cilat kanë paguar miliona euro dhe shpesh herë edhe nuk kanë arritur të marrin shërbimin e duhur", tha ministri Ismaili.
Drejtori i ShSKUK, Basri Sejdiu, tha se nga këto investime që po bëhen, pacientët do të jenë përfituesit më të mëdhenj, ngase, sipas tij, do të trajtohen 24 orë pa ndërprerë.
"Pacienti, kudo që të jetë, do të vijë drejt në sallë, duke tejkaluar procedurat administrative. Kjo është një e arritur mjaft e madhe, e cila na barazon edhe me vendet më të zhvilluara", tha Sejdiu.
Ai e falënderoi kryeparlamentarin Veseli për mbështetjen e fuqishme që po i jep sektorit shëndetësor.
Anëtarë të personelit mjekësorë dhe pacientë që të mërkurën po trajtoheshin në ambientet e reja, falënderuan kryeparlamentarin Veseli dhe ministrin Ismaili për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në forcimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët dhe përmirësimin e kushteve të punës në këtë sektor.