Lajmet e fundit
Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit
E Hënë, 01.07.2019
Kuvendi i Kosovës me kërkesë të 43 deputetëve, ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme për situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të drejtat dhe vështirësitë e tyre.
Deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi, duke folur në emër të deputetëve iniciues të kësaj seance, ka treguar se anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kanë zhvilluar këto ditë një vizitë në Luginën e Preshevës, gjatë së cilës janë informuar me sfidat që po përballën shqiptarët atje. Ai ka thënë se kushtet e shqiptarëve të Luginës janë përkeqësuar shumë, duke përmendur se me programet aktuale shkollore nuk mund të ruhet arsimimi, tradita dhe kultura shqiptare. Shqetësim tjetër i shqiptarëve të luginës, Kurteshi ka thënë se është edhe rënia e numrit të nxënësve dhe mungesa e teksteve shkollore.
"Numri i të punësuarve në administratë është simbolik. Në Ministrinë e Arsimit të Serbisë, punon vetëm një shqiptar", ka thënë ai.
Kurteshi ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet ta ngrisin zërin që të respektohet Referendumi i vitit 1992 dhe që, çështja e Luginës të bëhet pjesë e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai po ashtu ka kërkuar reciprocitet në mes të serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përkrahje më të madhe institucionale, rritje të kuotës për studentët në universitetet e Kosovës, si dhe përkrahje për kulturën, sportin dhe mediat.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka folur Nait Hasani, i cili ndër tjerash ka kërkuar që RTK-ja t'i japë hapësirë të veçantë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, konkretisht të ndihmohen me programe të kulturës, arsimit dhe edukimit. Përveç gjendjes së rëndë që jetojnë për shkak të represionit serb, Hasani ka thënë se e rëndë është edhe gjendja në mes subjekteve politike shqiptare.
Ai ka kërkuar që Kosova, por edhe Shqipëria të bëjnë përpjekje për ta unifikuar faktorin politik shqiptar në Luginën e Preshevës, për të mbrojtur qenien shqiptare atje. Edhe Hasani ka kërkuar respektim të reciprocitetit në mes të serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në vazhdim të seancës, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, ka folur Arban Abrashi, cili po ashtu e ka përshkruar të rëndë gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai ka thënë se nëse vazhdohet kjo gjendje edhe ato pak shkolla atje, rrezikojnë të mbyllen.
Abrashi ka kërkuar përkrahje institucionale nëpërmjet projekteve të ndryshme, por edhe në aspektin politik dhe diplomatik, për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar.
"Ata edhe sot luftojnë për të drejtat e tyre bazike kombëtare, për tekste shkollore, e për simbole kombëtare", ka thënë Abrashi, duke shtuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk guxojnë të jenë monedhë për kusuritje, as për politikanët e Kosovës dhe as për politikanët e Serbisë.
Në këtë seancë, në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, ka folur Albin Kurti.
Ai ka thënë se pa ndryshuar rrënjësisht gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk është e mundur që Serbia të anëtarësohet në BE.
Kapitujt 23 dhe 24, gjyqësori, të drejtat dhe liritë themelore, siguria e imponojnë këtë gjë, ka thënë Kurti.
Por, sipas tij, në vend që të përdoren këta dy kapituj për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve atje, nga Prishtina është demobilizuar Lugina e Preshevës, pikërisht nëpërmjet premtimeve se shumë shpejt do t'i bashkëngjitet Kosovës.
Kurti ka thënë se institucionet e Republikës të Kosovës e po ashtu ato të Shqipërisë, duhet të kërkojnë televizion në gjuhën shqipe në Preshevë, universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc, investime të shqiptarëve në Medvegjë, dhe heqjen e bazës ushtarake të Serbisë në Boroc të Bujanocit.
Në këtë mënyrë, Kurti ka shtuar se me këto kërkesa shqiptarët kudo që janë, dhe jo vetëm institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë, dalin në ofensivë kundrejt shtetit të Serbisë.
Për këtë çështje, në këtë seancë, deputetja Teuta Haxhiu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, ka thënë se numri i nxënësve në Luginën e Preshevës është duke rënë skajshmërisht, sidomos në Shkollën "Zenel Hajdini".
Ajo po ashtu ka folur për problemin me tekste, të cilat kanë mbetur në kufi dhe nuk kanë rënë në duar të nxënësve.
"Si institucione nuk arritëm që ta paraqesim para faktorit ndërkombëtar gjendjen reale të shkeljes së të drejtave elementare dhe kombëtare të shqiptarëve", ka thënë Haxhiu.
Shqetësim tjetër, ajo ka thënë se është edhe kur Qeveria e Kosovës ndanë mjete për projekte, të cilat kalojnë nëpërmjet Qeverisë së Shqipërisë, ato vonohen deri në një vit.
Ndër tjerash Haxhiu ka kërkuar që secila ministri të realizojë të paktën nga një projekt konkret për shqiptarët e Luginës së Preshevës, me fokus për rininë.
Për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në emër të Grupit Parlamentar të PSD-së, ka folur deputeti Dukagjin Gorani.
Ai ka thënë se shqiptarët e Luginës vazhdojnë të jetojnë në mes të mos përmbushjes së premtimeve nga Serbia dhe nga Kosova, dhe diskriminimit serb.
Gorani ka thënë se komuniteti shqiptar atje për Serbinë vazhdon të jetë i paqenë përkundër tri marrëveshjeve ndërkombëtare.
"Asnjë obligim Serbia nuk e ka kryer nga këto marrëveshje ndërkombëtare", ka thënë ai.
Gorani ndër tjerash ka kërkuar që të paktën në këtë kohë të hapet një Zyrë në kuadër të Kryeministrisë për Luginën e Preshevës. Ai ka thënë se hapja e kësaj zyreje do të ishte një pikënisje e mirë për një bashkëpunim të mirë.
Po ashtu, Gorani ka kërkuar mbështetje buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Ndërkaq, Albulena Balaj- Halimi, në emër të Grupit Parlamentar të NISMA Socialdemokrate, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që formojë një ministri e veçantë për Luginën e Preshevës dhe të ndajë linjë të veçantë buxhetore.
Balaj- Halimi po ashtu ka thënë se Bashkimi Evropian do duhej t'i bëjë presion Serbisë që t'i respektojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, ndër to edhe atë për njohje të diplomave.
Si pasojë e mosnjohjes së diplomave, ajo ka thënë se numri i shqiptarëve në administratën është simbolike.
Edhe deputeti Albert Kinolli, në emër të Grupit Parlamentar 6+, ka folur për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen seriozisht për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, nëpërmjet projekteve konkrete. Kinolli ka premtuar se deputetët e GP 6+ do ta mbështesin çdo nismë të Kuvendit të Kosovës që ka të bëjë me shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Pas shterjes së debatit, Ismajl Kurteshi, në emër të të gjitha grupeve parlamentare e ka lexuar tekstin e projekt-rezolutës, e cila në mungesë të kuorumit nuk është hedhur në votim, por pritet të miratohet në një nga seancat e radhës.
Kurse, gjatë ditës, me 62 vota për dhe 2 abstenime, është miratuar Rezoluta për heqjen e monopolit lidhur me shërbimet e homologimit të veturave.