Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

E Mërkure, 26.02.2014




Zbardhja e fatit të personave të zhdukur, ishte temë diskutimi në dëgjimin e sotëm publik, organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues të Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, ata të Asociacionit të familjeve të të zhdukurve dhe përfaqësues nga shoqatat për të zhdukurit. Për ecurinë e monitorimit dhe nivelin e zbatimit të këtij ligji foli kryesuesja e grupit punues, Albana Gashi. Ajo njoftoi se janë vizituar shumë institucione të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e ligjit, si dhe kanë konsultuar shumë shoqata të cilat në domenin e veprimtarisë së tyre kanë zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Po ashtu, deputetja Gashi njoftoi se gjatë procesit të monitorimit të zbatimin të ligjit, kanë vizituar edhe lokacionet, ku është regjistruar numri më i madh i të zhdukurve. Me këtë rast, ajo përmendi vizitën në Krushë të Madhe dhe të Vogël, Meje, Prizren, Gjakovë dhe lokalitete të tjera. Në vijim të debatit folën përfaqësuesit e familjeve të të zhdukurve. Bajram Qerkini, nga shoqata, "Zëri i prindërve" bëri thirrje për plotësim- ndryshimin sa më të shpejtë të ligjit aktual. Ai vlerësoi se termi të "zhdukur", nuk përkon me këtë kategori, ndërsa benifitet që i ofron ligji i cilësoi të pamjaftueshme për nevojat e familjarëve të të zhdukurve. Ngjashëm është shprehur edhe Nusrete Kumnova, nga shoqata "Thirrjet e nënave". Ajo shprehu bindjen se vendndodhja e të zhdukurve është e ditur, ndërsa duke hedhur kritika në përmbajtjen e ligjit, vuri në pah benifitet e pamjaftueshme që ofron ligji, sidomos për familjet që kanë më shumë se një të zhdukur. Se ligji nuk përmbush nevojat e familjarëve, është shprehur edhe Halit Berisha, nga shoqata" Shpresimi". Ai vlerësoi se ligji duhet të përmbajë edhe të drejtat e garantuara nga konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Kritikave të ngritura gjatë debatit, u është përgjigjur përfaqësuesja e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Shqipe Krasniqi. Ajo sqaroi se Ministria në mënyrë korrekte përmbush obligimet ndaj kësaj strukture, ashtu siç është paraparë aktualisht me ligj. Në vijim ajo sqaroi se 286 familje gëzojnë benifitet e ligjit, e që kanë nga një të zhdukur, 17 familje me nga dy të zhdukur, gjashtë familje me tre dhe një familje me pesë të zhdukur. Ajo po asht sqaroi se për familjet që kanë më shumë se një të zhdukur, ligji ka paraparë që kompensimi të bëhet në harmoni me një përqindje të paracaktuar. Krasniqi po ashtu bëri të ditur se familjet që kanë më shumë se një anëtar të regjistruar si viktimë e luftës, nuk mund të aplikoj në kompensimin prej 135 euro të përcaktuara me ligj. Këtë të drejtë, tha ajo, e kanë vetëm familjet, anëtari i të cilave figuron dhe është në regjistrin e të zhdukurve. Rreth kësaj foli edhe përfaqësuesi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Agim Gashi. Ai tha se ligji me gjithë të metat që mund të ketë, ka arritur të sigurojë interesim institucional për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Ai po ashtu njoftoi se në regjistrin e të zhdukurve, figurojnë persona, fati i të cilëve ende nuk dihet që nga koha para, gjatë dhe pas luftës. Në favor të ndryshimit të ligjit është shprehur edhe përfaqësuesi i Asociacionit të familjeve të të zhdukurve, Haki Kosumi. Ai bëri thirrje që kësaj kategorie ligji t'ia sigurojë benifitet, të cilat përmban Ligji për personat e dalë nga lufta.
Për angazhimet e deritashme të Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, foli kryetari i këtij komisioni, Preng Gjetaj, ndërsa vlerësoi se ligji aktual duhet të pësojë ndryshime. Ai tha se ligji duhet të përcaktojë më qartas periudhën në të cilën janë evidentuar të zhdukurit. Ai foli edhe për rëndësinë e një regjistri unik për personat e zhdukur, për të cilin tha se duhet të përfshijë të gjithë dhe të jetë i pranueshëm nga të gjitha palët. Ai po ashtu, vlerësoi se benifitet të cilat aktualisht i siguron ligji janë të pamjaftueshme për familjarët e të zhdukurve. Kryetarja e komisionit, Suzan Novobërdali, ndërkaq, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje dhe i siguroi ata për mbështetje të pa rezervë për të gjitha institucionet dhe mekanizmat relevantë për zbardhjen sa më të shpejtë të personave të zhdukur.