Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 26.02.2014




Lidhur me funksionimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka raportuar zv. ministri i kësaj ministrie Berndard Nikaj në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i komisionit.
Raporti i zv. ministrit Nikaj përfshinte periudhën e vitit të kaluar, në të cilën ishin përfshirë sukseset dhe sfidat që e kanë përcjellë atë. Duke folur për sukseset e kësaj ministrie, ai vuri në spikamë reformën e të bërit biznes, për të cilën Kosova është renditur për 40 vende më lartë në ranglistën e përpiluar nga mekanizmat ndërkombëtar të kësaj fushe. Po ashtu ai vlerësoi lart edhe renditjen për 76 vende më lartë për mundësitë e të bërit biznes dhe investime nga të huajt. Rëndësi të posaçme në raportin e tij zv. ministri Nikaj, i kishte kushtuar edhe bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA). Lidhur me këtë ai njoftoi se ministria ka përmbushur obligimet e saja, duke potencuar përmbylljen me sukses të kapitullit të pestë për MSA-në, e që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të mallrave. Ai ka folur edhe për trajtimin e qendrës turistike në Brezovicë, për të cilën tha se së shpejti do të përfundojë edhe procesi rreth saj, meqë në Kuvend ka kaluar Plani hapësinor për malin e Sharrit. Edhe Ligji për turizmin dhe krijimi i fondit garantues për kredi zhvillimore të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme sipas zv. ministrit Nikaj, është sukses domethënës që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit. Ai është ndalur edhe në sfidat që e përcjellin këtë ministri, e që sipas tij janë funksionalizimi i plotë i Ligjit për inspektoratin, funksionalizimi i plotë i pjesëmarrjes së Kosovës në CEFT-a dhe paqartësitë lidhur me Agjencionin e metrologjisë. Po ashtu ai ka folur edhe për cilësinë e naftës dhe produkteve të saj, ndërkaq ka lavdëruar infrastrukturën ligjore.
Ai u është përgjigjur edhe pyetjeve të ngritura nga deputetët, të cilët për rezultatet e paraqitura vlerësuan si sukses të pararendësve në ministri, ndërsa kontestuan disa nga të arriturat e paraqitura.