Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Hënë, 27.01.2014




Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, u shqyrtua dhe u përkrah Raporti i punës së Komisionit për Integrime Evropiane, për vitin 2013, si dhe Plani i punës për vitin 2014.

Në planin dhe programin e Komisionit për vitin 2014 parashihet të ftohen për të raportuar ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, zv.kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, si dhe ministra tjerë të kabinetit qeveritar. Ndërkaq, u shfaq edhe propozimi që në këtë komision të ftohet për raportim edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ose zv.kryeministrja Edita Tahiri.
Temë diskutimi gjatë këtyre raportimeve do të jenë çështja e liberalizimit të vizave, çështja e dialogut Kosovë - Serbi, sundimi i ligjit, procesi i reformave në Administratën Publike, çështja e ligjit për Ripranim, etj. Po ashtu, u theksua edhe fakti se komisioni përgjatë këtij viti do të shqyrtojë edhe mbikëqyrjen e fondeve të IPA-s, si dhe do të ftojë për raportim edhe ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Më tej komisioni përkrahu për procedurë të mëtejmë në Kuvend edhe Projektligjin nr. 04/L-197 për kimikate, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Krejtësisht në fund komisioni formoi edhe grupin e punës për monitorimin e Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane