Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 27.01.2014




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua dhe u përkrah raporti i punës së Komisionit, për vitin 2013. U theksua fakti se Komisioni ka shqyrtuar gjashtë projektligje në cilësinë e komisionit funksional dhe ka mbajtur tri dëgjime publike. Ndërkaq, ka shqyrtuar 44 projektligje për bazë juridike dhe kushtetuese dhe 55 raporte me rekomandime.

Komisioni po ashtu ka shqyrtuar dhe përkrahur edhe Planin e punës së Komisionit, për vitin 2014. Me këtë rast u theksua se Komisioni veç tjerash do të monitorojë edhe Ligjin për Këshillin Gjyqësor, si dhe Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale.

Ndërkaq, sa i përket shkresës së Kryetarit të Kuvendit që ka të bëjë me kërkesën për veprim bazuar në raportet e fundit të ekspertëve të TAIEX-i, komisioni formoi grup pune lidhur me këtë çështje.

Sa i përket raportit me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, komisioni u dakordua që t'i kthehet komisionit funksional për shqyrtim, meqë përmban elemente antikushtetuese. Ndërsa, shqyrtimi i raportit me amendamente i Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-197 për kimikate, mbeti të shqyrtohet në një mbledhje tjetër të radhës.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion