Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 24.12.2013




Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, e cila udhëheq delegacionin kosovar në bisedimet Prishtinë-Beograd në Bruksel, dhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Fadil Ismajli, kanë raportuar sot në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me Marrëveshjet për energjinë me Serbinë.

Duke iu referuar kësaj marrëveshjeje, zëvendëskryeministrja Tahiri, fillimisht foli për rëndësinë e saj. Kjo marrëveshje, tha ajo, është negociuar gjatë tre viteve (2011-2013) dhe është nënshkruar në mes të tria palëve: Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryeministrash dhe në mes të BE-së, e nënshkruar nga Baronesha Eshton. Marrëveshja e arritur përshpejton rrugën e integrimit të Kosovës në BE dhe në strukturat Euro-Atlantike, ndërsa shuan përfundimisht strukturat paralele në veriun e Kosovës, e që kanë të bëjnë me energjetikën, tha Tahiri. Po ashtu, sipas kësaj marrëveshjeje, sqaroi tutje ajo, është definuar shumë qartasi kufiri energjetik në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. "Me këtë marrëveshje, Serbia ka njohur Kosovën në fushën e energjetikës", pohoi zëvendëskryeministrja Tahiri, dhe shtoi se Serbia pengesë kryesore në rrugën e saj të integrimit në BE e ka Kosovën. Në vijim, Tahiri ka vënë në dukje edhe përfitimet e tjera të Kosovës me këtë marrëveshje. Sipas saj, me këtë marrëveshje është paraparë po ashtu që Serbia të tërheqë të gjitha barrierat që i janë shkaktuar KOST-it për anëtarësim në Komunitetin Energjetik të Athinës dhe në të gjitha organizatat rajonale e ndërkombëtare të energjetikës. Ajo po ashtu ka njoftuar se sipas kësaj marrëveshjeje, distributor i vetëm i energjisë elektrike në Kosovë do të jetë KEDS-i, i cili do të nënkontraktojë një kompani për shërbime (faturim dhe inkasim), në pjesën veriore të Kosovës.

Për këtë marrëveshje, ka folur edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli. Lidhur me këtë, ai vuri në dukje se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kosovës i janë njohur të drejtat e plota të kufijve energjetikë edhe nga Komuniteti Energjetik i Athinës. Ai ka folur edhe për përfitimet politike të marrëveshjes si dhe nënshkrimin e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe të Shqipërisë për ndërtimin e Transmisionit të energjisë elektrike prej 400 kV. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje sipas ministrit Ismajli, siguron pavarësi të sektorit energjetik në Kosovë.

Përfaqësuesit qeveritar, u janë përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve, të cilët shprehën shqetësimin e tyre lidhur me operatorin energjetik që do të veprojë në veriun e Kosovës, e i paraparë me këtë marrëveshje.

Kryetari i Komisionit, Zenun Pajaziti, i cili udhëhoqi mbledhjen, pasi falënderoi zëvendëskryeministren, Tahiri dhe ministrin, Ismajli, u shpreh se pas këtij raporti, anëtarët e komisionit kanë pasqyrë më të qartë rreth marrëveshjes.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...