Lajmet e fundit
Nga Komisioni për Bujqësi ...
E Marte, 17.12.2013
Përfaqësues të 15 fshatrave nga zona e Rugovës, u pritën sot nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor. Me këtë rast është shqyrtuar peticioni i banorëve të kësaj ane, me të cilin kundërshtohet implementimi i Ligjit për Parkun Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna". Duke folur për këtë ligj, përfaqësuesi i banorëve nënshkrues të peticionit, ish-deputeti Ali Lajqi, tha se ligji nuk duhet të implementohet para se të definohet vija kufitare, përkatësisht demarkacioni i kufirit me shtetet fqinjë. Ai po ashtu tha se ligji cenon të drejtën e pronës në 14 zona kadastrave të komunës së Pejës. Duke shfaqur mospajtim me këtë ligj, Lajqi përkujtoi edhe vendimin kundërshtues ndaj ligjit nga Asambleja Komunale e Pejës. Lajqi dhe përfaqësuesit e tjerë të këtyre fshatrave kërkuan që të mos fillojë implementimi i ligjit, por të zbatohen ligjet në fuqi. Ata po ashtu kërkuan që të fillojë ridraftimi i Ligjit për Parkun Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna.
Kryetari i komisionit, Nait Hasani, vlerësoi se ligji nuk cenon pronën private, por siguron shfrytëzimin më racional të saj, duke ndikuar edhe në zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e natyrës. Ngjashëm u shpreh edhe Xhevat Azemi, përfaqësues i Agjencionit Kosovar të Pronave. Ai tha se ligji nuk ndikon në statusin pronësor, por shkakton kufizime në shfrytëzimin e saj. Në favor të ligjit është shprehur edhe drejtori i Agjencionit për Mjedis, Ilir Morina, i cili vuri në dukje përparësitë dhe përfitimet e banorëve të kësaj ane, në rast se ligji do të gjejë zbatim të plotë.
Në fund të debatit u vlerësua që Ligji për Parkun Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna", duhet filluar të zbatohet, ndërsa mangësitë eventuale të tij të evidentohen gjatë procesit të monitorimit.
Në këtë mbledhje, komisioni e ka përkrahur edhe Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili do të procedohet tutje për leximin e dytë në mbledhje plenare të Kuvendit.