Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 27.11.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me amendamentet e komisionit funksional.
Komisioni konstatoi se amendamentet e propozuara nuk përmbajnë implikime buxhetore shtesë dhe i rekomandoi seancës plenare miratimin e projektligjit.
Në këtë mbledhje u shqyrtua serish kërkesa e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për transfer të mjeteve në vlerë prej 1 milion euro, të cilën e paraqiti dhe e arsyetoi sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Komisioni i rekomandoi Administratës së Kuvendit, që konform procedurave për ndarjen e mjeteve, të bëjë transferin e kësaj shume në xhirollogarinë e RTK-së, sipas vendimit përkatës të qeverisë.