Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti shefin e Misionit të ENEMO-s, Zlatko Vujoviq
E Marte, 26.11.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot shefin e Misionit të ENEMO-së (Rrjeti i Organizatave Evropiane Monitoruese të zgjedhjeve), Zlatko Vujoviq, me të cilin ka biseduar për procesin e zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe për nevojën e përfundimit, në afat sa më të shkurtër, të reformës zgjedhore.
Shefi i Misionit të ENEMO-së, Zlatko Vujoviq, ka theksuar se Rrjeti i Organizatave Evropiane Monitoruese të zgjedhjeve kanë vëzhguar raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, e pjesërisht edhe procesin e numërimit të votave dhe ka pohuar se do të monitorojnë edhe raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve më 1 dhjetor. Vujoviq, ndërkaq, ka theksuar se gjatë muajit janar misioni, të cilin e drejton, do të përgatisë Raportin final për ecurinë e këtyre zgjedhjeve, raport ky, për të cilin është shprehur i bindur se do të jetë shumë i vlefshëm edhe për reformën zgjedhore në Kosovë.
Kryeparlamentari Krasniqi ka shprehur kënaqësinë për rëndësinë që i ka dhënë Bashkimi Evropian zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat i ka vlerësuar shumë më të mira se të ato të mbajtura herëve të tjera në vendin tonë. Ai e ka quajtur shumë pozitiv faktin që për herë të parë zgjedhjet lokale janë mbajtur në gjithë territorin e Kosovës, por ka pohuar se sistemi aktual zgjedhor duket se është i komplikuar për një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës, duke e ilustruar këtë me numrin shumë të madh të votave të pavlefshme, mbi 106 mijë sish, ose rreth mbi 12 për qind të numrit të përgjithshëm të votave. Në këtë drejtim ai është angazhuar për një sistem më të thjeshtë dhe më të qartë zgjedhor, duke u shprehur i bindur se Raporti final i ENEMO-s për ecurinë e këtyre zgjedhjeve do ta ndihmojë reformën e sistemit zgjedhor në Kosovë.