Lajmet e fundit

Reagim i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës lidhur me prononcimet e djeshme të Bordit të RTK-së

E Enjte, 21.11.2013




Menaxhmenti i RTK-së, në vend që të ishte i përgjegjeshëm dhe të shqetësohej për mos aprovimin e raportit të përformancesë nga ana e Kuvendit të Kosovës, duke dezinformuar opinion është lëshuar në një fushatë të pa denjë propagandistike me motivacione politike ndaj themeluesit të vet - Kuvendit të Kosovës.

Prononcimet e djeshme të Bordi të RTK-së, se: " Kuvendi nuk ka proceduar sipas Vendimit të Qeverisë për transfer të mjeteve, prej 1.000.000 €," sa janë të papergjeshëme aq janë edhe tendencioze.

Bordi i RTK-së, duke u mjaftuar me një kerkesë jo të rregullt procedurale të bërë drejtpërdrejt në Ministrinë e Financave, ka supozuar se edhe Kuvendi i Kosovës do të bjerë në lajthitje duke bërë alokimin e shumës së kërkuar prej 1.000.000 € .

Duke qenë se buxheti i RTK-së, realizohet në kuadër të buxhetit të Kuvendit, në kategorinë subvencione dhe transfere, një menaxhment i përgjegjshëm dhe me kompetencë minimale profesionale do të duhej të merrte për obligim që në përputhshmëri me Ligjin për RTK-në dhe rregullat për ndarjen e buxhetit të Kuvendit të Kosoves, të ndjekë procedurat si në vijim;

a) Përmes Kuvendit, si themelues dhe bartës i buxhetit, RTK-ja duhet të procedojë me kërkesë përmes Komisionit për Buxhet dhe Financa që të bëhej kjo ndarje buxhetore.
b) Komisioni për Buxhet dhe Financa, pas shqyrtimit të kësaj kërkese, do ta vlerësonte për ta proceduar të njëjtën ose jo në Qeveri - përkatësisht në Ministrinë e Financave.
c) Qeveria pas shqyrtimit të kerkesës merr vendimin për kategorinë dhe shumën e mjeteve të ndara dhe të njëjtin brenda afatit ligjor e procedon në Kuvendin e Kosovës - përkatësisht në Komisionin për Buxhet dhe Financa.
d) Pas pranimit të vendimit nga Qeveria, Komisioni për Buxhet dhe Financa me Rekomandim e autorizon Administraten e Kuvendit të Kosovës për alokimin e mjeteve të ndara.

Pretendimet e tilla dhe procedurat e ndjekura nga Bordi i RTK-së, Kryesia e Kuvendit i ka vlerësuar si të parregullta, dhe ka vendosur që kjo çështje të kthehet në Komisionin për Buxhet e Financa.
Me vlerësime të njëjta, Komisioni për Buxhet dhe Financa ka nxjerrë përfundimin e vet lidhur më këtë çështje duke kerkuar të ndiqen procedurat ligjore për ndarjen e mjeteve.

Përjashtimisht nga kjo procedurë, me datën 31 dhjetor 2012, nga ana e kryetarit të Kuvendit është bërë ndarja e mjeteve në shumë prej 550.000 €, gjatë kohës kur Kuvnedi ishte në pushim në mes të dy seancave të punës, me qëllim që të mundësohet marrja e pagave për punëtorët e RTK-së.

Çdo interpretim ndryshe i kësaj mospërfilljeje procedurale nga ana e menaxhmentit të RTK-së është i paqëndrueshëm, joprofesional dhe tendencioz.