Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes plenare
E Mërkure, 02.10.2013
Në vazhdimin e mbledhjes plenare të filluar më 26 shtator, të drejtuar nga kryetari i Kuvendit dr. Jakup Krasniqi, u shqyrtua Projektligji për ratifikimin e neneve të Marrëveshjes Themeluese të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe anëtarësimin e Kosovës në BZHKE ( për kalimin e së cilës nevojiten votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit).
Me këtë rast ministri i Financave, Besim Beqaj, duke arsyetuar dhe paraqitur para deputetëve këtë projektligj, tha se qeveria ka synim kryesor rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shtrirjen e subjektivitetit të saj ndërkombëtar përmes anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare.
"Pas lobimit të suksesshëm që ka zhvilluar Qeveria e Republikës së Kosovës, bordi i drejtorëve të BZHKE-së, më 14 qershor, 2013, përmes miratimit të rezolutës i ka hapur rrugë anëtarësimit të Kosovës në BZHKE dhe deri në anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm, Kosova duhet t'i përmbushë disa kushte, si ratifikimin e marrëveshjes, që nënkupton ratifikim të neneve që e kanë themeluar marrëveshjen, Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës. Andaj, miratimi i këtij ligji ka për qëllim krijimin e kushteve ligjore për kryerjen e procedurave të anëtarësimit të Kosovës në BZHKE.", tha Beqaj, duke shtuar se pas miratimit Kosova do të vazhdojë përmbushjen e obligimeve tjera duke përfshirë obligimet financiare me qëllim të anëtarësimit të plotë të Kosovës në BZHKE. Ndërkaq, këtë ai e konsideroi si një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm, drejt rritjes së bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat hapin perspektivë ekonomike fondeve zhvillimore për Republikën e Kosovës.
Pas deklarimeve të shefave të grupeve parlamentare, të cilët miratimin e këtij ligji e vlerësuan të dobishme për interesat e Kosovës, në aspektin material dhe ekonomik, Kuvendi më 92 vota për, miratoi Projektligjin për ratifikimin e neneve të Marrëveshjes Themeluese të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe anëtarësimin e Kosovës në BZHKE.
Deputetët më tej votuan edhe tri projektligje dhe një raport të komisionit parlamentar, për të cilat pati përfunduar shqyrtimi në Kuvend (më 26 shtator). Me këtë rast u përkrahën Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-222 për administratë tatimore dhe procedurat, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-102, Projektligji për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht, Projektligji për inspektoratin e mjedisit, ujërave, planifikimit hapësinor dhe ndërtimit dhe amendamentet e komisionit funksional, si dhe Raporti i Komisionit për Drejta e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore.