Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 19.06.2019




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, i kryesuar nga Sala Berisha-Shala, kryetare, mbajti sot diskutim të hapur, me kërkesë të Ambasadores Nataliya Apostolova, lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave/barriera jo tarifore për importin e veturave të reja që kanë origjinën nga BE-ja.

Ambasadorja Apostolova u shpreh se duhet të luftohet kjo gjendje monopoli në fushën e homologimit të veturave. Sipas saj, kjo situatë bie në kundërshtim me Ligjin për konkurrencë të lirë dhe me standardet e Bashkimit Evropian. Prandaj, ajo propozoi para anëtarëve të komisionit që më së largu deri me 19 korrik të këtij viti, të bëhet amandamentimi i disa prej neneve të udhëzimit administrativ, i cili po ashtu bie në kundërshtim me Ligjin e ri për vetura. Në të kundërtën, sipas saj, i njëjti operator ekonomik në mënyrë automatike e fiton të drejtën për homologim të veturave edhe për 10 vite të tjera.

Anëtarët e komisionit, theksuan se kjo çështje është ngritur si shqetësim kohë më parë, por sipas tyre, ka munguar vullneti për të punuar në këtë drejtim.

Pas një diskutimi të gjatë mes ambasadores dhe anëtarëve të komisionit, ata u dakorduan që t'i dërgohet një letër zyrtare ministrit të Infrastrukturës, me qëllim të realizimit të një takimi dhe zgjidhjes së kësaj çështjeje.