Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalë rasti e mbajtur në Konferencën ndërkombëtare dedikuar antisemitizmit në Berlin, më 14 dhe 15 Mars 2016

Të nderuara zonja e zotërinj,
Mysafirë,
Kolegë të nderuar,

Siç e kemi parë në lajme dhe siç kemi mësuar nga të gjitha prezantimet, vërejtjet dhe ndërhyrjet, për fat të keq, antisemitizmi ende nuk është zhdukur, dhe akoma është shumë i pranishëm në shoqërinë tonë. Kjo është arsyeja pse ne nuk duhet ta marrim luftën kundër antisemitizmit si diçka të përfunduar.

Faktikisht, ekziston një lloj déjà vu-je kur është fjala për mënyrën se si është shfaqur antisemitizmi në ditët e sotme. Në kohën e krizave përsëri vërejmë një tendencë për të kërkuar kurban.

Përveç rishfaqjes së formave tradicionale të antisemitizmit, kolegët tanë të nderuar i kanë kushtuar vëmendje formave të reja dhe transformimeve të fundit e gjuhës së urrejtjes dhe antisemitizmit.

Ne kemi diskutuar gjithashtu se duhet ta mbajmë në mend se antisemitizmi është një simptomë e delegjitimimit të lirisë dhe demokracisë. Nxitësit kryesor, propaganduesit, sponsorët dhe aktorët e antisemitizmit janë patjetër armiqtë e lirisë dhe të demokracive.

Prandaj, është në promovimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut që ne të mund ta gjenim kurën e vërtetë kundër çdo forme të urrejtjes.

Në veçanti, do të doja t'ua tërhiqja vëmendjen për faktin se është e nevojshme që t'i kombinojmë masat represive kundër çdo manifestimi të paragjykimeve dhe urrejtjes me arsim dhe kultivimin e tolerancës dhe dialogut.

Fatkeqësisht, gjatë punimeve të kësaj konference, kemi përmendur faktin se një shpikje e madhe e brezit tonë, që është interneti, është keqpërdorur dhe instrumentalizuar për qëllime malinje siç është antisemitizmi. Siç e dimë të gjithë interneti është një mjet global, prandaj për ta parandaluar keqpërdorimin e tij, ne kemi nevojë për një qasje globale.

Unë kam qenë posaçërisht i shqetësuar nga trendet shqetësuese të huliganizmit në sport, dhe për mënyrën se si ngjarjet sportive nganjëherë janë degjeneruar në ngjarje të ekstremizmit, dhunës dhe krijimit të urrejtjes. Është detyrë e jona për ta garantuar qëllimin fisnik të sportit, siç e meriton ky aktivitet njerëzor. Ngjarjet sportive duhet të transferohen nga aktivitetet e rënda tek mundësitë për dialog, bashkëpunim, lojë të ndershme, solidaritet dhe humanizëm. Neve na takon që sportin ta kthejmë nga një barrë tek një aset për çështjen tonë.

Për më tepër, unë do të doja ta lavdërojë këtë konferencë për faktin se ajo e ka lehtësuar shkëmbimin intensiv të pikëpamjeve, strategjive dhe praktikave më të mira mes ligjvënësve. Unë kam vënë re se ekziston një pasuri e madhe e përvojës dhe njohurive, dhe ne si ligjvënës duhet të përfitojmë nga ngjarjet e këtilla, që të përpiqemi t'i miratojmë dhe harmonizojmë ligjet më të mira të mundshme në jurisprudencën e vendeve tona.

Duke thënë këtë, një tjetër përfundim i nxjerrë nga kjo konferencë është se ne duhet të punojmë ngushtë për të pasur një qasje më efikase ndërkombëtare, për ta luftuar antisemitizmin dhe format tjera të diskriminimit, si dhe të hartojmë konventa të reja adekuate.

Të nderuar kolegë,

Mua nuk më pëlqen që t'i përfundoj komentet e mia me ton negativ. Unë me të vërtetë besoj se ne mund të krenohemi me përparimin e jashtëzakonshëm , të cilin e kemi arritur në fushën e të drejtave të minoriteteve dhe të njeriut në tërë botën, gjatë dekadave të fundit.

Kjo konferencë, në thelb, është një shembull se si ka përparuar bota dhe shkalla e solidaritetit dhe vetëdijes ndërkombëtare.

Unë do të doja të përfundojë me një ton pozitiv dhe t'ju paraqes përvojën e vendit tim, Republikës së re të Kosovës.

Bashkëqytetarët e mi janë diskriminuar si dhe kanë vuajtur shumë, dhe ne e dimë shumë më mirë se çfarë do të thotë të jesh një viktimë e urrejtjes, dhunës, paragjykimeve dhe mos tolerancës.

Por, unë nuk jam këtu për të folur për të kaluarën, por për të tashmen. Republika e Kosovës është një shembull i përparimit që e përmenda më parë, i suksesit të punës së njerëzve si ju, të cilët kujdesen për vlerat njerëzore dhe solidaritetit ndërkombëtar.

Kosovën është një shembull se si liria punon!

Ne kosovarët, e çmojmë ndihmën bujare ndërkombëtare, që e kemi marrë në kohët kur kishim nevojë, jo vetëm si një privilegj, por edhe si një detyrim për t'i synuar standardet më të larta të mundshme të të drejtave individuale dhe të pakicave.

Ne kemi hartuar një Kushtetutë e cila është e pajisur me masat më të avancuara kundër diskriminimit,

Ne kemi miratuar standardet më të larta për mbrojtjen e pakicave,

Ne, në mënyrë të njëanshme, kemi miratuar një numër ligjesh dhe konventash ndërkombëtare, pavarësisht faktit se ne akoma nuk jemi pjesë apo anëtarë të organizatave në fjalë.

Në Bruksel, ne e kemi filluar me sukses dialogun me fqinjin tonë, sepse ne besojmë në dialog dhe në zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve, të cilat i kemi pasur në të kaluarën.

Unë po e shfrytëzoj këtë mundësi për t'ju informuar se institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar një vullnet të fortë politik për ta luftuar me vendosmëri çdo formë të mos-tolerancës, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Kjo është arsyeja pse Qeveria e Republikës së Kosovës, është ndoshta një nga ato qeveritë e pakta në rajonin tonë, që e ka ndërtuar një memorial, në mjediset qeveritare, të cilin ia ka dedikuar komunitetit hebre.

Unë e kam ndërmarrë një iniciativë për të rindërtuar në Prishtinë, një sinagogë, duke pasur parasysh faktin se regjimi i kaluar komunist e ka shkatërruar atë në vitin 1955.

Ne jemi gjithashtu duke ndërmarrë hapa konkret për ta rigjallëruar komunitetin hebre. Për më tepër, unë do të bëj përpjekje që Deklarata e Londrës kundër antisemitizmit, të nënshkruhet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Së fundi, unë ju siguroj se edhe më shumë parlamentarë nga Republika e Kosovës, do të bëhen anëtarë aktivë të koalicionit ndërkombëtar të parlamentarëve kundër antisemitizmit, dhe shpresojmë se do të organizojmë një konferencë të ngjashme në Kosovë, në një të ardhme jo shumë të largët.

I falënderoj organizatorët që ma dhanë mundësinë për t'iu drejtuar kësaj audience tejet të shquar.

I përgëzoj organizatorët e ICCA-së dhe Bundestagun gjerman që kanë bërë një punë të mrekullueshme!