Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Enjte, 06.06.2019




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Sala Berisha-Shala, kryetare, shqyrtoi Raportin vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) për vitin 2018.

Kryetarja pasi iu uroi mirëseardhjen anëtarëve të bordit të AKK-së, fjalën ia dha përfaqësuesit të bordit të AKK-së, Valon Prestreshi. Ai ndër të tjerash tha se fokus kryesor i AKK-së gjatë këtij viti ka qenë avokimi rreth Ligjit të konkurrencës, duke bashkëpunuar kështu me komuna dhe shoqata të ndryshme, vendore dhe ndërkombëtare.

Me ligjin e ri të konkurrencës, parashihet të ndahen edhe divizionet, përfshirë këtu: kartelet, poziten dominuese si dhe përqëndrimet. Sa i përket pozitës dominuese, e cila me ligjin aktual është e rregulluar në atë formë që ndërmarrja për të qenë në pozitë dominuese, duhet të jenë 25% e pavarur ndaj ndërmarrjeve tjera në treg, si dhe të jetë e aftë t'i plotësojë kërkesat e qytetarëve në mënyrë të pavarur, Prestreshi tha se ligji i ri në përputhje me ligjin evropian, parasheh që kjo përqindje të ngritet në 40%, duke lënë kështu mudësi më të vogla të keqpërdorimit të pozitës dominuese.

Pas pyetjeve të shumta nga ana e anëtarëve të komisionit dhe disa nga pëgjigjet që anëtarët e bordit të AKK-së ofruan, në fund të diskutimit u sugjerua që ky bord në takim e radhës të sjellë të dhëna shtesë, në mënyrë që raporti në fjalë të kalojë në votim nga ana e komisionit.

Temë diskutimi e kësaj mbledhjeje ishte edhe shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Energjinë Elektrike, i cili u miratua nga ana e anëtarëve të komisionit.

Anëtarët e komisionit po ashtu mirëpritën edhe përfaqësuesit e KOSTT-it për të diskutuar lidhur me sfidat e paraqitura për këtë ndërmarrje publike, pas miratimit të ligjit për paga.

Dy nga çështjet që ngritën përfaqësuesit e KOSTT-it ishin: plotësim-ndryshimi i ligjit për paga, si dhe zgjedhja sa më e shpejtë e bordit punues të këtij operatori.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...