Lajmet e fundit
Nga seanca plenare e Kuvendit
E Premte, 12.04.2019
Mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, (një pjesë edhe nga nënkryetarja Aida Dërguti), filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa në pyetjet e deputetëve u përgjigjën këta ministra: Shyqiri Bytyqi, Skender Reçica, Fatmir Matoshi dhe Endrit Shala.
Pastaj, Kuvendi miratoi propozimin e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, që të plotësohet rendi i ditës me mocionin për formimin e komisionit "ad-hoc" për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor. Por, në mungesë të kuorumit nuk pati vendimmarrje.
Deputetët në vazhdim të kësaj seance, pas paraqitjes së arsyetimit nga Visar Ymeri, kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar, në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, kanë votuar për zgjatjen e mandatit të këtij komisioni edhe për pesë muaj.
Pas pauzës, në mungesë të kuorumit, seanca ka vazhduar punimet, por është kapërcyer në pikën 9-të të rendit të ditës: Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga 9 (nëntë) deputetë nënshkrues, në lidhje me të drejtat e pensionistëve kontributdhënës.
Deputetja Haxhiu, ka propozuar hartimin e një rezolute për këtë çështje, duke kërkuar konsensus edhe nga deputetët tjerë. Ajo ka thënë se shumë pensionistë kontributdhënës e shohin diskriminues Udhëzimin Administrativ 9/2015, i cili ua mohon të drejtën e marrjes së pensioneve të gjithë atyre që kanë përvojë pune më pak se sa 15 vite. Haxhiu ka propozuar që kriteri i viteve të ulët nga 15 në 10 vite, ose të hiqet krejtësisht, dhe të gjithë ata që kanë punuar të marrin pension për aq vite sa kanë punuar.
Për këtë çështje, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka folur deputetja Flora Brovina, e cila e ka vlerësuar të panevojshëm këtë debat, për faktin se Kuvendi ka caktuar një Komision "ad hoc" për këtë çështje. Ajo ka treguar se ky komision është në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe me Ministrinë e Financave, duke premtuar se deri në korrik të këtij viti do të përgatitet edhe një raport.
Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, ka folur Arban Abrashi, u cili ka premtuar se do të mbështet çdo nismë, përfshirë edhe miratimi i një rezolute nëpërmjet së cilës përmirësohet gjendja e pensionistëve. Edhe Abrashi ka thënë se të gjithë qytetarët duhet të paguhet për aq vite sa kanë punuar, e jo të kufizohen sipas kriterit 15 vjeçar të përvojës së punës.
Po ashtu, edhe Sami Kurteshi, në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, ka kërkuar që të hiqet kufizimi prej 15 vjetësh përvojë pune, duke e konsideruar të paligjshëm dhe antikushtetues Udhëzimin Administrativ 9/2015. Kurteshi ka thënë se çdo kontribut i paguar në fonde pensionale, është pronë që mbrohet me ligj, dhe me Kushtetutë. "Ne këtë të drejtë ligjore të qytetarëve nuk mund ta prekim, sepse është pronë private e tyre. Prandaj ne si grup parlamentar jemi të interesuar që të hiqen kufizimet arbitrare në Udhëzimin Administrativ 9/2015", ka thënë Kurteshi.
Duke folur për këtë çështje, Ahmet Isufi, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, ka thënë se është dashur të jetë kusht për Serbinë kthimi i fondeve të grabitura gjatë luftës. Isufi ka deklaruar se kufizimi prej 15 vjetësh përvojë pune duhet të hiqet, dhe të kompenzohet pensionistët kontributdhënës për aq sa kanë punuar. "Kjo çështje duhet të rregullohet me ligj nga kjo qeveri", ka thënë Isufi.
Kurse, deputetja Besa Baftiu, në emër të Grupit Parlamentar të PSD-së, ka thënë se Kuvendi i ka dhënë mandat Komisionit "ad hoc" për t'u marrë me rregulimin e kodit pensional, i cili do të përfshijë të gjitha kategoritë pensionale. "Ne shpresojmë që ky komision sa më shpejt do ta kryejë punën për çka është ngarkuar", ka thënë ajo, duke këkruar që të ndryshohohet Ligji për Skema Pensionale.
Në vazhdim, deputeti Enver Hoti, në emër të Grupit Parlamentar NISMA Socialdemokrate, ka thënë se kontributpaguesve ju është bërë dy herë e padrejtë, "një herë kur janë larguar nga puna, e në të dytën herë kur është kufizuar kriteri prej 15 vjetësh përvojë pune". Ai ka thënë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka përgatitur një koncept-dokument, i cili synon t'i rregullojë padrejtësitë për këto kategori pensionale. "Mendoj se ky koncept-dokument është një bazë e mirë për të ndihmuar këtë çështje", ka thënë ai, duke ju bërë thirrje deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në Komisionin "ad hoc" të formuar nga Kuvendi për skemat pensionale.
Për këtë çështje, ka folur edhe Islam Pacolli, i cili ka thënë se duhet t'ju njihet e drejta të gjitha atyre pensionistëve për aq sa kanë punuar dhe kontribuar.
Pas diskutimeve të shefave të grupeve parlamentare, fjalën e ka marrë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, i cili ka thënë se rasti pensionistëve kontributpagues është një shqetësim edhe tij. Ai e ka prezantuar në mënyrë kronologjike se si ka rrjedhur procesi për kontributpaguesit. Për t'i larguar padrejtësitë aktuale, ministri Reçica ka thënë se duhet të ndryshohet Ligji për Skema Pensioanle, ku do të hiqet edhe kriteri prej 15 vjetësh i përvojës së punës. Ai po ashtu ka treguar se ministria që drejton ka hartuar një koncept- dokument për këtë qëllim, me symim të qartë për të reformuar sistemin pensional sipas standardeve evropriane, ku do të ketë barazi për të gjithë pensionistët.
Edhe deputetët tjerë gjatë diskutimeve të tyre janë pajtuar që kriteri prej 15 vjetësh përvojë pune është diskriminues, dhe kanë kërkuar që të gjinden forma dhe mënyra që ky kriter të hiqet.
Në fund të debatit, ministri Reçica ka premtuar se do të konsultohet me ekipin e tij për të parë mundësinë e ndryshimit të Ligjit për Skemat Pensionale. Ai po ashtu ka premtuar hartimin e një ligji të ri për skemat pensionale.
Iniciuesja e këtij debati, Teuta Haxhiu, ka sqaruar se në Ligjin për Skemat Pensionale nuk ceket askund si kriter kohëzgjatja prej15 vjetësh përvojë pune, por, sipas saj, parashihet me Udhëzim Administrativ, që mbanë vulën e ministrit Abrashi. "Pra kërkoj që të ndryshohet udhëzimi administrtiv, ku do të hiqet kriteri prej 15 vjetësh përvojë pune, i cili është diskriminues", ka thënë Haxhiu, e cila ka kërkuar që miratimi i rezulutës për këtë çështje të hidhet në votim në seancën e ardhshme.
Në mungesë të iniciuesit, deputetit Faton Topalli, drejtuesi i seancës, Xhavit Haliti, ka vlerësuar se debati në lidhje me mosekzekutimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. KI 08/09, dt. 17 dhjetor 2010, Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr. 04-V-799, dt. 19 mars 2014, Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 08/186, dt. 29 prill 2014 i hyrë në fuqi më 12 maj 2014 dhe të dy (2) udhëzimeve të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, nr. C-V-14-4099 dhe nr. C-V-14-4332, dt. 13 qershor 2014, është ezauruar.
Seanca ka vazhduar punimet sipas rendit të ditës, pika e 11-të: Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetit Korab Sejdiu, lidhur me nevojën urgjente për vendosje të sanksioneve ekonomike (përfshirë embargon) dhe sanksioneve politike kundër Serbisë, si masë reciprociteti.
Duke e arsytuar këtë debat, Sejdiu ka thënë se përkundër përkushtimit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia po e vazhdon fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe lobimin te shtetet e ndryshme për të mos e njohur dhe hequr njohjen e shtetit të Kosovës. Po ashtu, ai ka thënë se Serbia nuk po i respekton as marrëveshjet e arritura me Kosovën në Bruksel. Në këtë kontekst, ai ka kërkuar marrjen e vendimeve në përputhje me sjelljet e Serbisë, saktësisht sanksione ekonomike (përfshirë embargon) dhe sanksioneve politike kundër Serbisë, si masë reciprociteti. Ai ka thënë se rekomandimet përfundimtare do të harmonizohen nëpërmjet një rezolute, për të cilën i ka ftuar deputetët që ta votojnë.
Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, ka folur Armend Zemaj, i cili i ka dhënë mbështetje miratimit të një rezolute, ku do të përcaktoheshin masa reciprociteti me Serbinë.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, e ka vlerësuar të tejkaluar këtë debat, për faktin se Qeveria e Kosovës ka disa muaj që e ka vendosur tarifën prej 100 për qind ndaj produketeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Megjithtë, ai ka thënë se nëse një tekst i rezolutës "vjen këtu në Kuvend mund ta diskutojmë me kolegët e grupeve të tjera parlamentare".
Mbështetje miratimit të një rezolute të tillë, ku do të vendoseshin sanksione ekonomike (përfshirë embargon) dhe sanksioneve politike kundër Serbisë, si masë reciprociteti, në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, i ka dhënë edhe Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se çfarëdo indiciative që shkon në drejtim të reprociprositetit me Serbinë, VV-ja do ta përkrah.
Duke u ndërlidhur në këtë debat, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se kjo kërkesë është e vonuar, pasi qëveria ka marrë veprime duke vendosur tarifën prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.
Mbështetje miratimit të një rezolute të tillë, në emër të PSD-së i ka dhënë edhe deputeti Sali Salihu. Ai ka thënë se edhe tarifa ndaj produkteve serbe ka dhënë efekt, për faktin se gjatë këtyre ditëve është vërjetur një zhvilllim i hovshëm i ndërmarrjeve vendore.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të NISMA Socialdemokrate, Billall Sherifi, është zotuar se deputetët e këtij grupi do ta votojnë këtë rezolutë. "Për t'u harruar kërkesa që të hiqet taksa, duhet të miratohet kjo rezolutë, ku kërkohet reciprocitet i plotë. Kështu që ua garantoj votat e deputetëve të NISMA-s", ka thënë Sherifi.
Për dhe kundër miratimit të një rezolute të tillë kanë diskutuar edhe deputetët tjerë, duke ofruar argumentet e tyre.
Në fund të këtij debati, ka folur Korab Sejdiu, i cili e ka pranuar se me vonesë është debatuar për këtë çështje, por ka treguar se këtë kërkesë e ka parashtruar para gjashtë muajve. Ai ka treguar se qëllimi i kësaj rezolute është që t'i ndihmohet Qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë.
Në vazhdim të kësaj seance, deputetët kanë debatuar në lidhje me përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve përgjegjëse mbi organizimin e arsimit parauniversitar në Kosovë, sipas kërkesës së deputetit Ismajl Kurteshi, mbështetur edhe nga 7 deputetë të GP të LVV-së.
Në mungesë të Kurteshit, fillimisht ka folur ministri i Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT), Shyqri Bytyqi, i cili e ka paraqitur një rezyme rreth punëve dhe projekteve të kësaj ministrie. Ai ka thënë se tashmë kurrikula e re është duke u zbatuar në të gjitha shkollat në vend. Po ashtu, ai ka treguar se janë bërë edhe trajnime për mësimdhënësit, dhe janë në hartim edhe tekste të reja shkollore në përputhje me kurrikulën. Ministri Bytyqi ka folur edhe për përzgjedhjen e drejtorëvë të shkollave dhe të mësimdhënësve. Në këtë kontekst, ai e ka përmendur se tashmë është duke u zbatuar edhe Ligji i ri për Insepktoriat.
Në emër të GP të LDK-së, për këtë çështje ka folur Valentina Bunjaku- Rexhepi, e cila ka thënë se në Kosovë dihet se janë ndërtuar objekte shkollore, por ajo ka vlerësuar se tashmë ka nevojë për rritje të cilësisë në arsim; për më shumë pedagogë dhe psikologë në shkolla. Ajo shqetësuese e ka vlerësuar përdorimin e drogës nga nxënësit, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të merrën me luftimin e kësaj dukurie negative.
Për këtë pikë të rendit të ditës, në emër të GP të PDK-së, ka debatuar Luljeta Veselaj- Gutaj, e cila ka kërkuar që të bëhet një analizë e thellë e sistemit arsimor parauniversitar, dhe pastaj nëse është e nevojshme të bëhet edhe ndryshimi i kurrikulave mësimore. Ajo po ashtu ka kërkuar që përgatitja e mësidhënësve dhe e nxënsëve të bëhet bazuar në tregun e punës.
Në emër të GP të AAK-së , Teuta Haxhiu, ka kërkuar rritje të buxhetit të shkollave. Ajo po ashtu ka thënë se mësimdhënesit janë në lajthitje se a do t'i kompenzojnë orët e humbura gjatë grevës. Kurse, e ka quajtur shqetësues numrin e vogël të inspektorëve të arsimit, duke kërkuar që të rritet numri i tyre.
Edhe për këtë çështje, në emër të GP të NISMA Socialdemokrate, ka folur Bilall Sherifi, i cili e ka inkurajuar ministrin Bytyqi, që të vazhdojë me reforma, që të trajnohen mësimdhënësit, dhe nëse është nevoja të kërkohet buxhet shtesë. Sherifi ka premtuar se edhe çështja e mësimdhënësve të klasave I-V do të shqyrtohet në mënyrë që të barazohen me koficientin e pagave me kolegët e tyre të klasave V1-IV.
Ndonëse në numër të vogël të deputetëve, seanca ka vazhduar punimet sipas rendit të ditës, pika e 13-të: Raport i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës. Të gjeturat e këtij raporti i ka prezantuar nënkryetari i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, i cili ndër të tjera ka fajësuar Kryesinë e Kuvendit, që sipas tij, që pesë muaj këtë raport nuk e ka përcjellur për në seancë. Ai ka thënë se shumica e raporteve të këtyre shpenzimeve nuk i janë ofruar këtij komisioni. Edhe pse ka shpenzime të mëdha, sipas tij, ka raste që nuk ka asnjë raport për mënyrën se si janë shpenzuar ato. Po ashtu, Abdixhiku ka thënë se Hashim Thaçi edhe Behxhet Pacolli, kanë refuzuar që të intervistohen nga anëtarët e këtij komisioni. Ai i ka ftuar deputetët që ta votojnë këtë raport kurdo që të hidhet në votim, pasi që në këtë seancë nuk kishte kuorum për vendimmarrje.
Në emër të GP të LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se ka vend që të kërkohet hetim nga ana e prokurorisë, "e para se pse është bërë ky obstruksion me këtë komision dhe me mënyrën e shpenzimeve të këtyre fondeve".
Por, Ganimete Musliu, në emër të anëtarëve të këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, Hajdar Beqa dhe Mërgim Lushtaku, e ka lexuar një analizë që e konteston këtë raport. Duke e lexuar këtë analizë, Musliu ka thënë se ky raport është tendincioz, paragjykues, i hartuar edhe në bazë të shkrimeve të mediave, si dhe që ka për qëllim fyerjen e personaliteteve ndërkombëtare, ndër ta edhe senatorin amerikan, Bob Dole.
Duke u ndërlidhur në këtë çështje, Bilall Sherifi, në emër të NISMA Socialdemokrate, ka treguar se ky grup parlamentar e ka pasur një anëtar në këtë komision, "i cili mbase e ka mbeshtetur këtë raport, natryrisht se edhe ne e mbështesim".
Për këtë raport, ka folur edhe Muharrem Nitaj nga GP i AAK-së, i cili ishte edhe pjesë e këtij komisioni hetimor. Ai ka thënë se nuk pajtohet me Abdixhikun se ka pasur obstruksione. Nitaj ka treguar e ka pasur zyrtarë nga Presidenca që nuk kanë pranuar të flasin rreth shpenzimeve. Ai ka deklaruar se edhe pse ka votuar për këtë raport, nuk është bindur për shumë gjëra që janë të përfshira në të, siç nuk është pajtuar me të gjitha kundërshtimet e anëtarëve të komisionit nga PDK-ja.
Në mungesë të kuorumit as për këtë raport nuk ka pasur vendimmarrje. Po ashtu në mungesë të kuorumit, pikat tjera të rendit të ditës së kësaj seance janë shtyrë për një nga seancat e radhës.