Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Mërkure, 03.04.2019




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në mbledhjen e mbajtur sot, e cila u kryesua nga Ismajl Kurteshi, kryetar, ka diskutuar lidhur me kompensimin e orëve të humbura nga greva e mësimdhënësve.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, theksoi se është afër arritjes së marrëveshjes mes SBASHKU-t, Këshillit të Prindërve dhe Komisionit për Arsim, lidhur me kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës. Ai shtoi se është i gatshëm për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë.
"SBASHK-u ka qenë bashkëpunues në këtë aspekt. Do ta bëjë tërheqjen e vendimit për orët e humbura. Nëse ndryshohet edhe koeficienti i pagave për mësimdhënësit prej 1-5 deri 6.9, atëherë do të thërrasim këshillin dhe do të marrim vendim për kompensimin e orëve të humbura", theksoi ministri.
Vjollca Gashi, përfaqësuese e SBASHK-ut, tha se në momentin e ndryshimit të koeficientit do të mblidhet Kryesia e SBASHK-ut dhe do të vendosë për kompensimin e orëve. Mirëpo, sipas saj, deri më tani qëndrimi i tyre është që kompensimi i orëve të bëhet vetëm për një javë.
Komisioni, u zotua se do të punojë në ligjin për pagat që ka të bëjë me ciklin klasor të mësimdhënësve.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...