Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë

E Premte, 29.03.2019




Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, janë takuar sot(e premte) me ministrin e Ministrisë së Tregtisë dhe Tregtisë (MTI), Endrit Shala.
Në këtë takim të pranishëm ishin kryetarja e Komisionit për Legjislacion ..., Albulena Haxhiu, zëvendëskryetari i parë, Hajdar Beqa, zëvendëskryetari i dytë, Bahrim Shabani dhe anëtari i këtij komisioni, Korab Sejdiu, të cilët potencuan se qëllimi i këtij takimi është mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Deputetja Haxhiu ka thënë se pasi ky ligj është miratuar vitin e kaluar në procedurë të përshpejtuar, është vendosur që të mbikëqyret nga afër zabtimi i tij në praktikë.
Haxhiu po ashtu është interesuar të di se kur janë caktuar zyrtarët përgjegjës në këtë ministri, dhe nëse ka pasur trajnime për zyrtarët në lidhje me këtë ligj.
Ministri Shala, ka mirëpritur këtë takim, duke vlerësuar se inspektimi i parimit të qeverisjes së mirë dhe shmangia e konfliktit të interesit, janë instrumente të rëndësishme për vënë ligjshmërinë në institucionet e vendit, si për të ndihmuar në krijimin e një shteti ligjor dhe funksional.
Shala ka thënë se MTI në bashkëpunim me institucionet tjera dhe Agjencinë Kundër Korrupsionit i ka ndërmarrë të gjitha hapat e paraparë sa i përket zbatimit të plotë të këtij ligji.
Po ashtu, Shala ka bërë me dije se janë trajtuar edhe rastet që potencialisht mund të kenë pasur konflikt të interesit, duke përmendur se për një rast është kërkuar edhe opinion ligjor nga Agjencia Kundër Korrupsion.
Ndërkaq, deputeti Hajdar Beqa ka thënë se me hyrjen në fuqi të këtij ligji është bërë decentralizimi, duke u krijuar një situatë të re, ku shumica e institucioneve po përballen me vështirësi në zbatim e tij në praktikë.
Gjatë këtij takimi është theksuar se për shkak të specifikave që ka kjo ministri, sfidë dhe shqetësim paraqet neni 12 -të dhe 13-të i këtij ligji, ndaj është kërkuar që të nxirren rregullore të veçanta, pasi ligji nuk i specifikon të gjitha hollësitë.
Anëtarët e Komisionit për Legjislacion... kanë kërkuar që të ndërmerren masa adekuate për njoftimin e zyrtarëve me ligjin, duke u bërë një fushatë vedijesuese, në mënyrë që të parandalohet konflikti i interesit.

 

 

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë