Lajmet e fundit
GGD-ja organizoi tryezën “Institucionet dhe mekanizmat ekzistues në përgjigje të dhunës në familje”
E Mërkure, 20.02.2019
Nën organizimin e Grupit të Grave Deputete, sot u organizua tryeza:
"Institucionet dhe mekanizmat ekzistues në përgjigje të dhunës në familje".
Në këtë tryezë morën pjesë, Koordinatori nacional për mbrojtje nga dhuna në familje, përfaqësues nga MPMS-ja si dhe drejtoret e strehimoreve të Kosovës.
Takimi i sotëm për synim kishte njoftimin e pjesëmarrësve lidhur me amendamentin e ndryshimit të Kushtetutës për dhunën në familje, i cili është votuar nga 80 deputetet e Kuvendit.
Kryetarja e GGD-së, Mexhide Mjaku-Topalli, pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi, foli për mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe punës që ka zhvilluar lidhur me fenomenin e dhunës në familje.
Mjaku -Topalli theksoi se GGD-ja për 6 muaj me radhë ka vizituar institucionet regjionale në teren siç janë: Prokuroria dhe Gjykatat. Kryetarja, deklaroi se me punën dhe angazhimin e saj për këtë çështje, ka iniciuar Ligjin për plotësim-ndryshim të dhunës në familje.
Ajo bëri thirrje që të merren masat e nevojshme për trajtimin dhe rehabilitimin e kryerësve të dhunës në familje, duke i vendosur ata përpara përgjegjësisë për veprat e kryera.
"Dhuna në familje është krim dhe si i tillë duhet ndëshkuar, pasi që pikërisht në familje duhet të gjendet siguria, paqja dhe qetësia. Por, fatkeqësisht në shumë raste gratë e gjejnë frikën, tmerrin, fyerjen e deri edhe vdekjen", tha Mjaku-Topalli.
Kryetarja e GGD-së inkurajoi institucionet shtetërore që të ndërmarrin iniciativa vetëdijësuese, me qëllim të ndryshimit të mentalitetit patriarkal dhe sjelljet stereotipe që ushqejnë veprimet e dhunshme.