Lajmet e fundit

Veseli: UP-ja ka potencial për të bërë ndryshime pozitive për veten dhe për vendin

E Premte, 15.02.2019




Është bërë e zakonshme që universitetet të quhen tempuj të diturisë dhe të shkencës. Por në historinë e tij, Universiteti i Prishtinës është më shumë se kaq. Që nga fillimet e tij, ai ishte i tempull i vetëdijes sonë kombëtare.

Kështu tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 49-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, në një akademi të mbajtur në Prishtinë.

Veseli tha se Universiteti i Prishtinës ishte pikënisje e shumë lëvizjeve studentore, ndërsa shumë studentë të tij u burgosën ndër vite nga regjimi jugosllav e shumë të tjerë ranë në altarin e lirisë. Shumë profesorë, si Ukshin Hoti e Fehmi Agani, shtoi Veseli, u burgosën e u vranë për lirinë e Kosovës.

"Për mua janë të paharrueshme kujtimet nga koha kur nisa studimet e mia në Universitetin e Prishtinës. Katedrat, amfiteatrot, bibliotekat, konviktet, vlonin atëherë nga angazhimet atdhetare. Në ato ambiente unë zbulova pasionin dhe misionin të cilit duhet t'i përkushtohesha në jetën time: çlirimit të Kosovës dhe shtendërtimit të saj", theksoi Veseli, duke evokuar kujtime nga periudha e para mese tri dekadave.

"Ne jemi brezi më fatlum i historisë sonë. Ne arritëm ta jetësojmë dhe ta jetojmë realizimin e ëndrrës së madhe për ta parë Kosovën të lirë, shtet të pavarur dhe sovran. Dhe sot në këtë përvjetor, jemi krenarë kur themi se UP-ja ka bërë shumë për këtë vend", tha kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit shtoi se Kosova në 20 vjet liri dhe 11 vjet shtet, ka shënuar arritje të mëdha, por sipas tij, ka ende shumë punë përpara. Ai tha se sfidat më të mëdha janë fuqizimi i shtetit dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

I pari i legjislativit theksoi nevojën që Universiteti i Prishtinës dhe të gjitha qendrat e tjera universitare në Kosovë të marrin një rol më aktiv në ballafaqimin tonë me këto sfida.

"Arsimi universitar duhet të shërbejë si faktor themelor i zhvillimit të vendit, e jo të perceptohet si pengesë e tij. Profesionet që ofron UP-ja dhe universitetet e tjera publike, duhet të jenë adekuate me nevojat e kohës, në radhë të parë me kërkesat e ekonomisë së lirë të tregut. Reformat e vërteta në arsim duhet të orientohen pikërisht në këtë drejtim. Konsideroj se hapi i parë është forcimi i plotë i standardeve të edukimit cilësor. UP-ja ka potencial për të bërë ndryshime pozitive për veten dhe për vendin", theksoi kryeparlamentari Veseli.

 

 

Veseli: UP-ja ka potencial për të bërë ndryshime pozitive për veten dhe për vendinVeseli: UP-ja ka potencial për të bërë ndryshime pozitive për veten dhe për vendinVeseli: UP-ja ka potencial për të bërë ndryshime pozitive për veten dhe për vendinVeseli: UP-ja ka potencial për të bërë ndryshime pozitive për veten dhe për vendin