Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli arrin marrëveshjen e shumëpritur: Mësimi fillon të hënën

E Premte, 01.02.2019




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka arritur sot marrëveshjen me SBASHK-un që të gjithë mësimdhënësit të ndërprejnë grevat dhe të hënën nxënësit t'i kthehen procesit mësimor.

Sot në një konferencë për media së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, kryeparlamentari Veseli ka bërë me dije se procesi mësimor do të fillojë të hënën.

Kryeparlamentari Veseli është shprehur i lumtur që nxënësit e Kosovës dhe mësimdhënësit nga e hëna do t'u kthehën shkollave.

Veseli ka thënë se të gjithë punëtorëve në sistemin e arsimit u janë rritur pagat, duke u zotuar se kjo rritje do të vazhdojë ashtu siç ka premtuar së bashku me kryeministrin Haradinaj.

"Nesër në Kuvendin e Kosovës do të miratojmë Projektligjin për pagat, i cili do të mundësojë rritjen e pagave për më shumë se 70 mijë punonjës të sektorit publik. Ashtu siç u kemi premtuar, pagat do t'u rriten të gjithëve: policisë, ushtrisë, shëndetësisë, arsimit, artistëve, administratës publike, asamblistëve të komunave, pensionistëve dhe gjithë punëtorëve tjerë", ka thënë Veseli.

Po ashtu Veseli ka siguruar të gjithë punëtorët e Doganës dhe ATK-së se statusi i tyre nuk do të preket.

"Ky ligj i pagave i jep vulë reformës në shëndetësi me rritjen më të lartë për personelin shëndetësor në 20 vjetët e fundit. Pagat e punëtorëve shëndetësor bëhen më të lartat në rajon dhe kështu kthejmë tërë vëmendjen për pacientin", ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se qeveria është e interesuar t'i jap përgjigje të gjitha kategorive që paguhen nga paratë e shtetit.

"Jam i vetëdijshëm që përgatitja për këtë ligj dhe puna që ka ndodhur i ka shqetësuar të gjitha kategoritë që paguhen nga buxheti. Mendoj se ne kemi arritur finalen e këtij ligji. Nuk ka qenë e lehtë as marrëveshja e sotme pa ndihmën e kryetarit. Është e ditur që qeveria e vendit është e interesuar t'i jap përgjigje të gjitha kategorive që paguhen nga paratë e shtetit. Jemi të interesuar të respektohet integriteti i të gjithëve në Kosovë, prandaj falënderoj shumë sindikatën", ka thënë Haradinaj.

Edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e semestrit të dytë të vitit të ri shkollor.

 

 

Kryeparlamentari Veseli arrin marrëveshjen e shumëpritur: Mësimi fillon të hënënKryeparlamentari Veseli arrin marrëveshjen e shumëpritur: Mësimi fillon të hënën