Lajmet e fundit

Veseli: Inspirim për iniciativat e mia janë familjarët e të pagjeturve dhe viktimave

E Mërkure, 15.05.2019




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar shoqatën "Zëri i prindërve" në Mitrovicë, ku është takuar me përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve.

Duke iu drejtuar familjarëve të të pagjeturve, kryeparlamentari Veseli tha se meritën kryesore për iniciativën për themelimin e gjykatës për krimet e Serbisë, e kanë vet familjet e viktimave dhe të të pagjeturve, me qëndresën e tyre prej dy dekadash dhe kërkesën e vazhdueshme për drejtësi.

"Që në fillim të punës sime si kryetar i Kuvendit, jam afruar te fotografitë e personave të pagjetur dhe kam bërë nderime. Jemi munduar dhe kemi kërkuar çdo herë informacione për të pagjeturit, por nuk kemi marrë përgjigje. Deri në vitin 2017 Kosova nuk ka pasur të drejtë të trajtojë çështjen e krimeve të luftës. Më 2017 për herë të parë kemi nënshkruar marrëveshje me EULEX-in dhe kompetencat janë bartur te institucionet vendore", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se ka hyrë në këtë proces shumë të rëndësishëm jo vetëm për familjet e viktimave, por edhe për shtetin.

"Një populli që harron, i riciklohet historia. Janë gjëra që kanë të bëjnë me të vërtetën tonë. Unë u kam shkruar nga një letër të gjitha parlamenteve në botë. Duhet të falenderojmë Kongresin Amerikan, i cili është i pari që ka ndërmarrë këtë hap. Për herë të parë në Kongresin Amerikan, përkatësisht në Komisionin për Politikë të Jashtme, është mbajtur dëgjim publik për dhunimet, vrasjet dhe zhdukjet në Kosovë. Kështu do të vazhdojmë edhe në parlamentet e vendeve të tjera. Jemi në komunikim të vazhdueshëm", theksoi Veseli.

Ai shtoi se ekzistojnë shumë dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat duhet proceduar.

"Qëllimi i iniciativës për tribunal ndërkombëtar për Serbinë është vënia para drejtësisë e atyre që kanë kryer krime. Dhe nuk do t'i lëmë rehat, deri në fund. Të enjten do ta marrim vendimin për krijimin e komisionit shtetëror. Kam takuar ekspertë juridikë, djem dhe vajza, të cilët janë të sigurtë se kjo iniciativë mund të shkojë deri në fund. Besoni në këtë proces dhe ne do t'i shkojmë deri në fund", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Bajram Qerkini nga shoqata "Zëri i prindërve" tha se po përcillet me vëmendje iniciativa e kryeparlamentarit Veseli për krijimin e një gjykate ndërkombëtare e cila do të gjykonte krimet serbe mbi popullatën e pafajshme shqiptare gjatë luftës.

Duke vlerësuar lart këtë iniciativë dhe duke ofruar mbështetjen e plotë për kryeparlamentarin Veseli, Qerkini tha se duhet kontribuuar të gjithë për konkretizimin e saj, në mënyrë kriminelët serbë të kapen dhe të japin llogari për krimet e kryera.

"E kemi dëgjuar më vëmendje kryetarin ditëve të fundit, në iniciativën e tij. Kryetari i Kuvendit po ashtu ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, që pak kush e ka bërë, jo në Kosovë, por në Evropë, me ekspozitën për të pagjeturit. Ajo ekspozitë është parë edhe në Nju Jork. Po ashtu propozimet konkrete për ndërtimin e Muzeut të gjenocidit dhe memorialit për të dëbuarit, janë veprime shumë të qëlluara dhe ne kemi besim të plotë që kryeparlamentari Kadri Veseli do t'ia arrijՃ t'i realizojë", theksoi Bajram Qerkini.

Veseli: Inspirim për iniciativat e mia janë familjarët e të pagjeturve dhe viktimave Veseli: Inspirim për iniciativat e mia janë familjarët e të pagjeturve dhe viktimave Veseli: Inspirim për iniciativat e mia janë familjarët e të pagjeturve dhe viktimave