Lajmet e fundit
Aktiviteti "Ditët e Kuvendit" vazhdoi në Fushë-Kosovë
E Mërkure, 03.04.2019
Fushë-Kosova ishte destinacioni i radhës për zhvillimin e aktivitetit "Ditët e Kuvendit", program i Kuvendit të Kosovës që është inicuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare dhe realizohet me ndihmën e NDI.
Në sallën e Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës ishin mbledhur qytetarë të shumtë për t'i shprehur shqetësimet, kritikat dhe sugjerimet e tyre kundrejt deputetëve që kishin përballë: Flora Brovina, Fitore Pacolli Dalipi, Ahmet Isufi dhe Salih Salihu.
Debati nisi me pyetjet e qytetarëve që kishin të bëjnë me këto çështje: taksa ndaj Serbisë, statuti jo i barabartë i Fushë-Kosovës me Komunën e Obiliqit, mbingarkimi i qytetit, mungesa e stafit në institucione shëndetësore dhe arsimore, mungesa e çerdheve publike, nepotizmi, mungesa e paisjes me dokumentacione të Kosovës për banorët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që jetojnë në Fushë-Kosovë, siguria në rrugë dhe hekurudhat, deponia me mbetje të rrezikshme në fshatin Harilaq, migrimi i të rinjëve.
Deputetët ishin të hapur të dëgjonin për hallet e qytetarëve dhe shprehën gatitshmëri për të ndërmarrë veprime konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Ata shtuan se çështjet për të cilat nuk janë kompetentë, do t'i shpalosin tek kolegët e tyre deputetë, përgjegjës për tema të tilla.