Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…

E Marte, 26.03.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, të drejtuar nga Albulena Haxhiu, kryetare, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar amendamentet në Projektligjin nr. 06/L-101 për të Drejtën Ndërkombëtare Private të propozuara nga Grupi Punues.
Anëtarët e këtij komisioni i kanë mbështetur edhe propozimet e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, në lidhje me këtë projektligj, pa mbështetje të Grupit Punues, për të cilat do të vendosin deputetët në një nga seancat e ardhshme plenare.
I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili ka ngritur shqetësimin e tij se me miratimin e Kodit të ri të drejtësisë për të miturit, është krijuar një vakum ligjor gjashtë mujor.
Pas një debati konstruktiv, Avokati i Popullit dhe anëtarët e komisionit janë pajtuar që të merren mendime të ekspertëve ligjorë në lidhje me këtë çështje.
Anëtarët e komisionit janë pajtuar që të shtyhet për një nga mbledhjet e radhës shqyrtimi i Raportit me amendamente në Projektligjin nr. 06/L-075 për ndryshim plotësimin e Ligjit nr. 03/L-176 për Hetim Parlamentar.
Në këtë mbledhje është vendosur që kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, së bashku me një zyrtar ligjor të ftohen për raportim në lidhje me letrën e tij, që asnjë nga punëtorët të mos nxjerr informata jashtë kësaj kompanie, pasi që sipas anëtarëve të komisionit, bie në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…