Lajmet e fundit
Nga punimet e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit
E Premte, 22.03.2019
Me kërkesën e 49 deputetëve, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme, në të cilën ka miratuar rezolutën lidhur me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit dhe plotësim-ndryshimin e ligjit përkatës.
Në cilësi të iniciuesit, projektrezolutën e paraqiti kryetari i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, duke arsyetuar edhe iniciativën për propozimin e saj.
Hoti tha se lojërat e fatit janë lojëra të zhvatjes së qytetarëve dhe se askush nuk pasurohet nga bizneset e lojërave të fatit.
Projektrezoluta u përkrah edhe nga përfaqësuesit e grupeve të tjera parlamentare që morën fjalën në seancë.
Kështu, Memli Krasniqi (PDK), Glauk Konjufca (VV), Ahmet Isufi (AAK), Bilall Sherifi (Nisma) dhe Duda Balje 6+, i dhanë mbështetje idesë për të mbyllur lojërat e fatit dhe rezolutës së propozuar. Faton Topalli (PSD) adresoi kritika ndaj iniciuesve lidhur me përmbajtjen e kësaj iniciative.
Sidoqoftë, grupet u pajtuan që të shkohet në votim të rezolutës, pa debat parlamentar.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, theksoi nevojën që vendimi i Kuvendit të jetë i zbatueshëm dhe të mos luhet me ndjenjat e qytetarëve.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ndërkaq, tha se çdo vendim i Kuvendit për ta do të jetë obligativ.
Pas harmonizimit të tekstit midis grupeve parlamentare, me 74 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi miratoi rezolutën e propozuar, të cilën e lexoi kryetari i GP të LDK-së, Avdullah Hoti. Nëpërmjet rezolutës, obligohet qeveria të nisë procedurat ligjore për pezullimit e lojërave të fatit deri në ndryshim të ligjit, ndërsa brenda 30 ditëve të sjellë ligjin që ndalon lojërat e fatit.