Lajmet e fundit
Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Komunën e Prishtinës
E Enjte, 21.03.2019
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka vizituar sot Komunën e Prishtinës.
Gjatë kësaj vizite, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, zëvendëskryetari i parë, Hajdar Beqa dhe zëvendëskryetari i dytë, Bahrim Shabani, janë pritur në takim nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.
Qëllimi i këtij takimi ishte mbikëqyrja e zbatimit te Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Gjatë takimit, kryetarja Haxhiu theksoi se ligji, i miratuar vitin e kaluar, parasheh që të caktohen zyrtarët përgjegjës për këtë fushë. Përkitazi me këtë, ajo u interesua nëse janë të caktuar këta zyrtarë në Komunën e Prishtinës.
Gjithashtu, anëtarët e komisionit shprehën interesim se sa po bëhet fushatë sensibilizuese për stafin e këtij institucioni për këtë ligj.
Nënkryetari i Komunës, Selim Pacolli, tha se ky ligj ky ligj është i mirë, por duhet vetëm të gjej zbatim, kur dihet se ligjet nuk po zbatohet sa duhet. Ndërsa, sa i përket caktimit të zyrtarëve përgjegjës, ashtu siç e parasheh ligji, ai tha se komuna së shpejti do të ketë zyrtarë të cilët do të mbulojnë këtë fushë.
Në vazhdim, Pacolli njoftoi anëtarët e komisionit për punën që është duke bërë komuna në deklarimin e pasurisë së zyrtarëve dhe monitorimin nëpërmjet komisioneve në intervistimin e kandidatëve të cilët aplikojnë për punësim në Komunën e Prishtinës.
Gjatë këtij takimi, si problem u theksua mos nxjerrja e rregulloreve të brendshme për trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit.
Anëtarët e komisionit, do të vazhdojnë takimet në institucionet tjera, për të parë nga afër sfidat e zbatimit të këtij ligji.